Last Updated on 28/10/2026 by Monika
Miliona familje britanike do të marrin nga 100 paund (132 dollarë) këtë dimër për të përballuar faturat e energjisë, ndërsa mijëra biznese do të përfitojnë lehtësira në taksa, në përpjekje për të zbutur pasojat ekonomike të luftës në Iran.
Paketa e mbështetjes për energjinë, me vlerë 2,6 miliardë paund, do të ndihmojë rreth 20 milionë familje që bëjnë pjesë në katër kategoritë më të ulëta të taksës vendore, nga A deri në D.
Ndërkohë, 70 mijë biznese do të përjashtohen plotësisht nga taksa mbi pronat ku ushtrojnë aktivitetin e tyre.
Masa përfshin dyqane, restorante, palestra dhe biznese të tjera.
Sipas ministrit britanik të Financave, John Healey, gjysma e dyqaneve, restoranteve dhe palestrave nuk do ta paguajnë më këtë taksë.
Për të financuar lehtësirat, qeveria do të rrisë taksat për bankat dhe kompanitë e basteve e lojërave të fatit.
Taksa për bankat do të rritet me tre pikë përqindjeje për 15 muaj, duke filluar nga janari.
Healey tha se ekonomia britanike po përballet me vështirësi për shkak të zhvillimeve në ekonominë botërore.
Ai theksoi gjithashtu se rritja e kostos së huamarrjes, do ta detyrojë Britaninë e Madhe të shpenzojë këtë vit, 14 miliardë paund (18,6 miliardë dollarë) më shumë për interesat e borxhit shtetëror.
Zyra për Përgjegjësinë Buxhetore (OBR), institucioni i pavarur që analizon financat publike dhe parashikon ecurinë e ekonomisë, e ka cilësuar luftën në Lindjen e Mesme, si faktorin kryesor që ndikon në parashikimet e saj.
Sipas vlerësimeve të reja, ekonomia britanike pritet të rritet me 1,2% në vitin 2026, pak më shumë se parashikimi i mëparshëm prej 1,1%.
Megjithatë, për vitin 2027, parashikimi është ulur ndjeshëm, nga 1,6% në vetëm 1%.
Për vitin 2028, rritja ekonomike parashikohet të mbetet në 1,6%, ndërsa për vitet 2029 dhe 2030 pritet përkatësisht 1,8% dhe 1,7%.
Masat e shpallura synojnë të lehtësojnë shpenzimet e familjeve dhe barrën financiare të bizneseve, në një periudhë kur pasiguria ekonomike dhe kostot e larta po ushtrojnë presion mbi vendin./mxh
