Last Updated on 28/10/2026 by Monika
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky shpreson që edhe Bashkimi Evropian të marrë pjesë në bisedimet me Rusinë dhe SHBA-në, të planifikuara në muajin nëntor.
“Shpresojmë të gjejmë një mënyrë për të përfshirë Evropën”, deklaroi sot Zelensky në Hagë, ku u takua me kryeministrin holandez, Rob Jetten.
Ende nuk dihet se kur dhe ku do të zhvillohen bisedimet.
Zelensky pret që kjo çështje të diskutohet sërish në fillim të nëntorit, pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
“Holanda i ka premtuar Ukrainës 500 milionë euro ndihmë ushtarake, me qëllim që ta ndihmojë vendin të përballojë dimrin e ardhshëm”, deklaroi kryeministri Jetten.
Paketa e ndihmës përfshin kryesisht armë kundërajrore dhe dronë.
Më herët, Holanda i premtoi Ukrainës edhe një paketë ndihme me vlerë 1,2 miliardë euro, e cila përbëhet nga pajisje dhe materiale jo-ushtarake.
Jetten theksoi se Rusia po shton sulmet ndaj objektivave civile dhe infrastrukturës jetike në Ukrainë, në prag të fillimit të dimrit.
Sipas tij, vendet evropiane duhet të veprojnë të bashkuara dhe të ashpërsojnë sanksionet kundër Rusisë.
Gjithashtu, presidenti ukrainas, Zelensky do të pritet sot në mbrëmje nga mbreti i Holandës, Willem-Alexander./mxh
