Last Updated on 28/10/2026 by EL
Kancelari i ri britanik i Thesarit, John Healey, prezantoi të mërkurën buxhetin e parë në këtë detyrë, duke njoftuar një sërë masash për të përballuar rritjen e kostos së jetesës, për të mbështetur familjet dhe për të ndryshuar sistemin e taksave. Qeveria parashikon që ekonomia britanike të rritet me 1,2% këtë vit, pak më shumë se vlerësimi i mëparshëm prej 1,1%, përpara se ritmi i rritjes të ngadalësohet në 1% në vitin 2027.
Ja pesë pikat kryesore të buxhetit të ri.
1. Taksa më të larta për fitimet e bankave
Qeveria laburiste do të dyfishojë nga 3% në 6% taksën shtesë mbi fitimet e bankave që operojnë në Britani. Të ardhurat nga kjo masë do të përdoren për të financuar një subvencion të njëhershëm për miliona familje që po përballen me rritjen e faturave të energjisë.
2. Mbështetje prej 100 paundësh për 20 milionë familje
Rreth 20 milionë familje do të përfitojnë një pagesë të drejtpërdrejtë prej 100 paundësh për të përballuar kostot e larta të energjisë elektrike dhe gazit.
Sipas Healey, masa synon të lehtësojë barrën financiare gjatë muajve më të ftohtë dhe t’i ndihmojë familjet deri në pranverë. Çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm, kryesisht për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme.
3. Ndryshime për blerësit e shtëpive për herë të parë
Kancelari njoftoi se llogaria e kursimeve Lifetime ISA do të zëvendësohet me një skemë të re, First-Time Buyer ISA, të dedikuar për personat që duan të blejnë shtëpinë e tyre të parë.
Ndryshimet synojnë të shmangin penalizimin e blerësve kur prona që dëshirojnë të blejnë kushton më shumë se kufiri i përcaktuar nga skema. Në këto raste, ata do të mund të marrin mbrapsht të paktën shumën që kanë kontribuar.
“Për çdo të ri që punon fort, kursen aq sa mundet dhe ëndërron shtëpinë e tij të parë, po ndërmarr masa konkrete”, deklaroi Healey.
4. Ndryshime në skemën e pensioneve dhe shërbim i ri kombëtar i kujdesit
Buxheti parashikon ndryshime në mekanizmin e njohur si Triple Lock, i cili garanton rritjen vjetore të pensionit shtetëror sipas normës më të lartë mes inflacionit, rritjes mesatare të pagave ose 2,5%.
Kancelari njoftoi gjithashtu krijimin e një shërbimi të ri kombëtar të kujdesit, që synon të mbështesë të moshuarit kur kanë nevojë për ndihmë dhe të lehtësojë barrën mbi familjet dhe Shërbimin Shëndetësor Kombëtar britanik, NHS.
Sipas Healey, ndryshimet pritet të sjellin kursime prej 15 miliardë paundësh në vit deri në fund të viteve 2030 dhe prej 50 miliardë paundësh deri në vitin 2050.
5. Të ardhurat nga taksat e bizneseve do të mbeten në nivel lokal
Qeveria synon t’u japë autoriteteve vendore më shumë kontroll mbi të ardhurat fiskale, përmes një procesi që kancelari e cilësoi si një udhërrëfyes drejt decentralizimit fiskal.
Sipas planit, deri në fund të dekadës, 100% e të ardhurave nga taksa e pronave të bizneseve do të mbahen në nivel lokal.
Nga viti i ardhshëm, 20% e këtyre të ardhurave do t’u kalojë kryetarëve të bashkive me kompetenca të zgjeruara, ndërsa nga viti 2028 ata do të përfitojnë gjithashtu një pjesë të të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale.
