Spanja ka shpallur tri ditë zie kombëtare pas një prej aksidenteve më të rënda hekurudhore në historinë moderne të Evropës, ku të paktën 68 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur. Ekipet e emergjencës kanë punuar gjatë gjithë natës, duke prerë vagonët e dëmtuar për të nxjerrë viktimat. Autoritetet bëjnë me dije se disa prej personave që humbën jetën ende nuk janë identifikuar.
Aksidenti ndodhi të mërkurën në mëngjes, kur një tren që udhëtonte nga Madridi drejt Seviljes u përplas me një tren tjetër që qëndronte në shina. Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, u shpreh se “e gjithë Spanja është në zi”. Sipas autoriteteve spanjolle, në vendngjarje janë angazhuar qindra punonjës të emergjencës, ndërsa dronët dhe helikopterët po përdoren për kërkimin e viktimave dhe largimin e mbetjeve të aksidentit.
Treni i kompanisë private Iryo kishte 147 pasagjerë në bord dhe kishte ndaluar për shkak të një defekti kompjuterik, sipas ministrit spanjoll të Transportit, Oscar Puente. Ministri deklaroi se, në raste të tilla, kontrolli i trafikut hekurudhor i kalon një qendre 24-orëshe në Madrid. Megjithatë, ai e cilësoi si “të pashpjegueshëm” vendimin për të lejuar lëvizjen e trenave pa kufizime shpejtësie.
Regjistrimet audio mes kontrollorëve të trafikut hekurudhor dhe drejtuesve të trenave duket se tregojnë se njërit prej trenave i është dhënë leje për të lëvizur, pavarësisht se një tren tjetër kishte mbetur i bllokuar përpara tij. Kompania Iryo deklaroi se treni i saj u godit nga pas nga një tren i kompanisë shtetërore Renfe, i cili transportonte 397 pasagjerë. Përplasja ishte aq e fortë sa disa vagonë përfunduan poshtë një skarpate.
Dëshmitarët kanë përshkruar skena të rënda, me pasagjerë të bllokuar në sedilje, njerëz të plagosur e të gjakosur dhe tym që përhapej nëpër vagonë. Njëri prej tyre mori flakë. Kryeministri Sanchez deklaroi se ishte “e papranueshme” që Spanja të përballej me dy aksidente të rënda hekurudhore brenda të njëjtit vit. Në janar, një tjetër përplasje pranë Kordobës shkaktoi 46 viktima. Edhe ai aksident ndodhi në të njëjtën linjë hekurudhore, por më në jug.
Shumica e partive politike pezulluan fushatat për zgjedhjet e ardhshme në shenjë zie. Përjashtim bëri partia e ekstremit të djathtë Vox, lideri i së cilës, Santiago Abascal, deklaroi se nuk do të merrte pjesë në atë që e cilësoi si përpjekje për të përdorur zinë për të heshtur kritikat ndaj infrastrukturës hekurudhore.
Ndërkohë, rreth 1 500 persona u mblodhën gjatë natës përpara Ministrisë së Transportit në Madrid, duke kërkuar, dorëheqjen e kryeministrit Sanchez dhe ministrit Puente. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, pasi disa prej tyre hodhën shishe dhe flakadanë. Sipas raportimeve, nuk pati të lënduar apo arrestime.
Ndërkohë, flamujt e Bashkimit Evropian në Bruksel janë ulur në gjysmështizë në shenjë solidariteti me Spanjën gjatë ditëve të zisë. Aksidenti i fundit konsiderohet më i rëndi në Spanjë që prej vitit 2013, kur 80 persona humbën jetën në një aksident treni pranë qytetit Santiago de Compostela, në veriperëndim të vendit. /k.m
