Last Updated on 30/10/2026 by Anisa
Ndarja nga jeta e Profesor Luan Omarit ka sjellë reagime dhe mesazhe ngushëllimi. Ish-ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, ka shprehur dhimbjen për humbjen e profesorit të njohur, të cilin e cilëson si një mik të çmuar, mentor të urtë dhe mbështetës të shumë brezave të juristëve shqiptarë.
Në një mesazh kushtuar figurës së tij, Xhafaj vlerëson kontributin e Profesor Omarit në themelimin e institucioneve të rëndësishme dhe në zhvillimin e shkollës juridike shqiptare. Ai shpreh gjithashtu mirënjohjen personale për besimin dhe përkrahjen që profesori i kishte dhënë gjatë karrierës së tij profesionale.
Reagimi i plotë i Fatmir Xhafajt:
“Profesor Luan Omari, njeriu i ditur, i mençur dhe i urtë është ndarë nga jeta!
Ndarja nga jeta e Profesor Luan Omarit është për mua humbja e një miku të çmuar, e një mentori të urtë dhe e një mbështetësi të madh të sa e sa brezave të juristëve shqiptarë. Vepra e tij gjendet në themelet e Kushtetutës, të Akademisë së Shkencave dhe shkollës juridike Shqiptare.
Do ti mbetem përherë mirënjohës për mençurinë, besimin dhe përkrahjen që më pati dhënë në karierën time profesionale!
Trashëgimia e tij intelektuale, përkushtimi ndaj së drejtës dhe dinjiteti me të cilin i shërbeu vendit do të jetojnë gjatë në kujtesën tonë. Profesorët dhe qytetarët e mirë si ai nuk ikin plotësisht. Ata mbeten në veprën që lënë pas dhe në njerëzit që kanë ndriçuar me dijen e tyre.
Ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe të gjithë atyre që patën privilegjin ta njohin.
Mirënjohja për atë që ishe dhe gjithçka që na le pas do të jetë më e fortë se dhimbja e lamtumirës.
U prehsh në paqe, i dashur Profesor!”/ad
