Kanadaja dhe Bashkimi Evropian kanë shpallur krijimin e një aleance të re strategjike, të quajtur “Aleanca për të Ardhmen”, me synimin për të forcuar bashkëpunimin ekonomik, politik, tregtar dhe të sigurisë, si dhe për të reduktuar varësinë nga fuqitë e tjera globale.
Kryeministri kanadez, Mark Carney, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e prezantuan marrëveshjen të premten në Montreal, në përfundim të një samiti dyditor.
Të dy liderët e cilësuan partneritetin si një mundësi për të krijuar një hapësirë më të sigurt dhe më të qëndrueshme për qytetarët, në një kohë kur bota po përballet me tensione gjeopolitike, pasiguri ekonomike dhe dobësim të normave demokratike.
Sipas liderëve, partneriteti i ri synon të krijojë një treg më të integruar, me vlerë dhjetëra miliarda dollarë, duke lehtësuar tregtinë, udhëtimet dhe shkëmbimet arsimore mes Kanadasë dhe 27 vendeve anëtare të BE-së.
Nisma vjen në një moment kur Kanadaja po kërkon të diversifikojë partneritetet e saj ndërkombëtare, veçanërisht për shkak të tensioneve tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe varësisë së saj nga kompanitë amerikane në sektorë strategjikë, përfshirë mbrojtjen.
Një nga prioritetet kryesore të aleancës është teknologjia, veçanërisht inteligjenca artificiale. Carney përmendi si shembull bashkimin e planifikuar të kompanisë kanadeze Cohere Inc. me kompaninë gjermane Aleph Alpha GmbH. Kompania e re pritet të ketë seli të dyfishtë në Berlin dhe Toronto, ndërsa qeveria kanadeze ka njoftuar një investim në Cohere që mund të arrijë deri në 1.6 miliardë dollarë kanadezë.
Gjithashtu, Kanadaja dhe BE-ja njoftuan një marrëveshje që do t’i mundësojë Kanadasë akses në rrjetin evropian të superkompjuterëve, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin dhe trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte ideja që Kanadaja të marrë statusin e anëtarit të asociuar të Bashkimit Evropian. Von der Leyen e cilësoi këtë një koncept të ri, që kërkon të përcaktohet përmes negociatave të ardhshme.
“Ky është një partneritet jo kundër dikujt tjetër, por për forcën tonë të përbashkët”, u shpreh ajo. Liderët ranë dakord që detajet dhe përmbajtja konkrete e këtij statusi të diskutohen në një samit të planifikuar për vitin 2027./mxh
