Last Updated on 31/10/2026 by EL
Gazetari i njohur Marin Mema ka dalë me një qëndrim publik, pas listave me emra që po qarkullojnë në rrjetet sociale, për intelektualët që do të marrin drejtimin e protestës studentore e për rrjedhojë, do të krijojnë parti.
Ai thotë se nuk ka lidhje me asnjë nga këto lista, për të cilat mendon se synojnë vetëm klikime në rrjetet sociale. Marin Mema, shumë i dashur nga mbarë populli për veprimtarinë e tij si gazetar në shërbim të çështjeve kombëtare, shihet me admirim edhe nga studentët.
“Unë e kam bërë të qartë prej vitesh, se nuk kam synime të përfshihem në politikë. Nuk kam! Postime të tilla me lista e të tjera me radhë bëhen për fat të keq për klikime.
Të duash ndryshimin për mirë të vendit nuk do të thotë se ke synime personale politike! Nuk dua as karrige, as pozita, as ngjyrosje me ngjyra partiake!
Unë kam vetëm ngjyrat kombëtare dhe nuk dua të ndaj, por të bashkoj! Misioni im është Bashkimi Kombëtar dhe ky do të jetë sa të kem frymë. Ju lutem faqeve të ndryshme të qëndrojnë korrekte”, shkruan ai.
