Last Updated on 31/10/2026 by EL
Spanja po zhvillon të shtunën ditën e tretë të zisë kombëtare pas përplasjes tragjike të dy trenave në Urda, në provincën e Toledos, ku në fillim të kësaj jave humbën jetën të paktën 69 persona.
Banorë dhe përfaqësues të autoriteteve lokale u mblodhën të shtunën në një fshat pranë vendit të aksidentit për një meshë përkujtimore në nder të viktimave.
Banka e kishës San Juan Bautista ishte e mbushur plot, ndërsa dhjetëra persona të tjerë u mblodhën jashtë për të ndjekur ceremoninë, disa prej tyre duke fshirë lotët.
Ndërkohë, familjarët e viktimave po përjetojnë ankth gjithnjë e më të madh, ndërsa autoritetet vijojnë punën për identifikimin e trupave. Kryeministri Pedro Sánchez deklaroi se Spanja po punon “pa u lodhur” për të përfunduar procesin e identifikimit.
Kreu i qeverisë rajonale të Castilla-La Mancha, Emiliano García-Page, paralajmëroi se autoritetet “nuk përjashtojnë mundësinë e më shumë viktimave”. Ai bëri të ditur se shërbimet e emergjencës kishin mbledhur “31 qese me mbetje trupore”, çka e ka vështirësuar procesin e identifikimit.
Autoritetet gjyqësore përgjegjëse për këtë proces kanë bërë të ditur se vijojnë të jenë aktive 67 kërkesa për persona të zhdukur, mes të cilëve 14 shtetas të huaj.
Bëhet fjalë për shtetas nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Australia, Franca, Japonia, Meksika, Argjentina, Venezuela, Tunizia dhe Republika Çeke.
Qeveria portugeze konfirmoi të premten se mes viktimave është edhe një shtetas portugez që punonte në njërin prej trenave. Ndërkohë, 39 persona të plagosur vijojnë të marrin trajtim në spitalet e Castilla-La Mancha.
Aksidenti i së mërkurës është tragjedia e dytë e këtij lloji në Spanjë gjatë këtij viti dhe një prej aksidenteve më vdekjeprurëse hekurudhore në Evropë gjatë këtij shekulli.
Dështimi i sistemit LZB nën hetim, makinistët kërkojnë masa urgjente
Shoqatat e makinistëve të trenave po kërkojnë ndërhyrje urgjente për të forcuar sigurinë hekurudhore në Spanjë.
Unioni Spanjoll i Makinistëve dhe Asistentëve Hekurudhorë (Semaf) ka kërkuar rishikimin e rregullave që përcaktojnë mënyrën e funksionimit të trenave në rast se sistemet automatike të mbrojtjes pësojnë defekt.
Në një deklaratë, Semaf i ka kërkuar Agjencisë Shtetërore të Sigurisë Hekurudhore (AESF) të veprojë “urgjentisht” për të “qartësuar dhe ndryshuar rregulloret që rregullojnë sistemin e mbrojtjes hekurudhore LZB”, si dhe procedurat që lidhen me Sistemin Evropian të Menaxhimit të Trafikut Hekurudhor (ERTMS).
Sipas të dhënave paraprake të Autoritetit të Pavarur për Hetimin Teknik të Aksidenteve dhe Incidenteve (AITAT), sistemi LZB ndaloi së funksionuari në orën 08:31 të mëngjesit të së mërkurës, përpara përplasjes. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar nëse ky defekt ishte shkaku i drejtpërdrejtë i aksidentit.
Semaf kërkon që trenat të mos rifillojnë funksionimin normal në rastet kur ekziston rreziku që dy trena të përfundojnë në të njëjtin segment të linjës hekurudhore.
Ministri i Transportit, Oscar Puente, i cili të premten përjashtoi mundësinë e dorëheqjes, njoftoi masa të reja për të reduktuar rreziqet teknike dhe për të “rikthyer besimin e publikut” te sistemi hekurudhor. Megjithatë, ai nuk dha ende detaje konkrete mbi masat që do të ndërmerren.
Shqetësimet e ngritura nga makinistët nuk janë të reja. Në janar të vitit 2026, Semaf raportoi se qindra drejtues trenash kishin denoncuar prej kohësh incidente në rrjetin hekurudhor, pa marrë përgjigje apo pa u ndërmarrë masa korrigjuese. Pas një aksidenti në Adamuz, në provincën e Kordobës, Semaf arriti një marrëveshje me qeverinë për forcimin e sigurisë hekurudhore. Megjithatë, sindikata ka denoncuar më pas vonesa të tjera në zbatimin e masave të dakordësuara.
Sánchez pranon se besimi te hekurudhat është tronditur
Aksidenti në Urda ka shtuar presionin ndaj kryeministrit Pedro Sánchez, në prag të zgjedhjeve të nëntorit. Të premten, Sánchez pranoi se besimi te rrjeti i trenave të shpejtësisë së lartë ishte “shkatërruar”, por premtoi marrjen e masave për të parandaluar aksidente të tjera. Përplasja ndodhi në një linjë të rëndësishme që lidh Madridin me qytetin jugor të Seviljes. E njëjta linjë ishte përfshirë edhe në një aksident në janar, ku humbën jetën 46 persona në rajonin e Andaluzisë.
Ndërkohë, sindikata e makinistëve Semaf ka thirrur dy greva të reja në operatorin shtetëror Renfe, më 10 dhe 12 nëntor, duke kërkuar “masa strukturore” për sigurinë hekurudhore. Kjo vjen pasi sindikata zhvilloi një tjetër grevë të enjten, e cila ishte organizuar përpara aksidentit.
Kreu i Partisë Popullore konservatore, forca kryesore e opozitës që kryeson në shumicën e sondazheve, Alberto Núñez Feijóo, akuzoi qeverinë se “nuk ka zëvendësuar një sistem sigurie të vjetëruar, kur duhej ta kishte bërë këtë”. “Po kush do të hipë tani në tren? Tani ke frikë kur hipën”, tha për agjencinë e lajmeve AFP Cecilio, një familjar i njërës prej viktimave. “Shumë jetë janë humbur brenda nëntë muajve. Mendoj se kjo duhet t’i bëjë të gjithë të reflektojnë, të gjithë shoqërinë dhe politikanët, se përse po ndodh kjo në shekullin XXI”, shtoi ai.
“Nuk po fajësoj njërën apo tjetrën palë, por diçka këtu nuk po shkon siç duhet”, përfundoi ai.
