Numri i arrestimeve në Britaninë e Madhe në lidhje me grupin “Palestine Action” ka kaluar shifrën katër mijë, pas ndalimit të organizatës në korrik 2025.
Vetëm gjatë protestës së zhvilluar të shtunën para ambasadës amerikane në Londër, policia arrestoi 325 persona, 320 prej tyre për shprehjen e mbështetjes ndaj një organizate të ndaluar sipas legjislacionit kundër terrorizmit.
Qindra protestues u mblodhën në zonën Nine Elms, duke mbajtur pankarta me mesazhe si: “Kundërshtoj gjenocidin, mbështes Palestine Action”. Gjatë tubimit u dëgjuan edhe thirrje në mbështetje të Palestinës, ndërsa arrestimet vijuan deri në orët e mbrëmjes.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme britanike, të siguruara nga BBC, 3 630 arrestime u kryen në periudhën njëvjeçare deri në qershor 2026. Bashkë me 134 arrestimet e kryera më herët këtë vit jashtë Gjykatës së Magjistraturës në Westminster dhe 325 arrestimet e së shtunës, numri arrin në 4 089.
Mes protestuesve të arrestuar ishte edhe Charles Allison, një avokat në pension 75-vjeçar, i cili kishte udhëtuar nga Cumbria për të marrë pjesë në tubim. Ai deklaroi se ishte i shqetësuar për kufizimin e lirive civile dhe shprehu shpresën se Gjykata e Lartë do ta shpallë të paligjshëm ndalimin e organizatës.
Një tjetër protestues, David Bolden, e cilësoi ndalimin si një “ligj absurd”.
Organizata “Defend Our Juries”, e cila koordinon protestat kundër ndalimit të grupit, i cilësoi arrestimet si të padrejta dhe si një sulm ndaj lirisë së shprehjes. Edhe Amnesty International UK kritikoi arrestimet, duke i kërkuar qeverisë britanike të heqë ndalimin e “Palestine Action”.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar pritet të shqyrtojë ligjshmërinë e ndalimit të organizatës sipas legjislacionit kundër terrorizmit, pasi bashkëthemeluesit të saj iu dha leja për të apeluar vendimin. Ministria e Brendshme ka deklaruar se do ta mbrojë me vendosmëri ndalimin përballë këtij apelimi./mxh
