Presidenti amerikan Donald Trump ka gjetur një mënyrë të pazakontë për të vlerësuar ecurinë e tregjeve financiare. Sipas tij, rritja e kursimeve të pensionit ka ndikuar edhe në marrëdhëniet mes çifteve, duke rikthyer dashurinë mes bashkëshortëve.
Gjatë një takimi elektoral më 29 tetor në Rock Hill, Karolina e Jugut, Trump tha se disa gra i kanë treguar se kanë nisur t’i duan sërish bashkëshortët, pasi kanë parë rritjen e kursimeve të tyre.
“Kam pasur gra që më kanë thënë se e duan sërish burrin e tyre. ‘Burri im është një investitor i shkëlqyer. Kursimet i janë rritur me 67%.’ Këtë e kam bërë unë!”, deklaroi Trump para të pranishmëve.
Me këtë deklaratë, presidenti synoi të vlerësonte rezultatet e tregut të aksioneve gjatë administratës së tij, në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit në nëntor. Ai u bëri thirrje amerikanëve të kontrollonin llogaritë e tyre të pensionit, duke pretenduar se tregu i aksioneve kishte shënuar 88 rekorde të reja që nga zgjedhja e tij.
Sa janë rritur realisht kursimet e amerikanëve?
Të dhënat tregojnë se llogaritë e pensionit 401(k) kanë shënuar rritje. Sipas analizës së fundit të Fidelity Investments, në 3-mujorin e dytë të vitit 2026, vlera mesatare e këtyre llogarive arriti në 155 800 dollarë.
Kjo është 13% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa në dhjetë vitet e fundit, kursimet janë rritur me 75%.
Edhe tregu i aksioneve ka pasur ecuri pozitive. Deri më 29 tetor, indeksi S&P 500 ishte rritur me 12.8% që nga fillimi i vitit 2026.
Megjithatë, këto shifra nuk tregojnë vetëm fitimet nga investimet. Llogaritë e pensionit rriten edhe nga kontributet që punonjësit dhe punëdhënësit derdhin rregullisht.
Për më tepër, mesatarja nuk pasqyron domosdoshmërisht gjendjen e shumicës së amerikanëve. Sipas raportit të Vanguard për vitin 2026, në fund të vitit 2025, gjysma e pjesëmarrësve në planet e pensionit të kësaj kompanie kishin më pak se 44 115 dollarë në llogaritë e tyre. Kjo tregon se llogaritë me shuma shumë të larta ndikojnë në rritjen e mesatares.
A mund t’ia atribuojë Trump vetes këtë rritje?
Administrata Trump ka ndërmarrë disa nisma për të nxitur investimet. Në gusht të vitit 2025, presidenti nënshkroi një urdhër ekzekutiv që synonte t’u krijonte planeve 401(k) më shumë mundësi për të investuar në kompani private, pasuri të paluajtshme dhe asete të lidhura me kriptomonedhat.
Edhe ligji fiskal i vitit 2025 parashikoi lehtësi tatimore për të nxitur investimet dhe zhvillimin e bizneseve.
Megjithatë, këto masa nuk garantojnë rritje të fitimeve dhe nuk ka prova të qarta se ato kanë shkaktuar rritjen e fundit të kursimeve të pensionit. Rezultati varet kryesisht nga mënyra se si secili person i investon paratë. Ata që kanë më shumë investime në aksione mund të përfitojnë më shumë, ndërsa personat pranë pensionit shpesh zgjedhin alternativa më të sigurta.
Ndërkohë, rritja e tregut financiar nuk do të thotë se amerikanët po e ndiejnë veten më të pasur në përditshmëri. Më 29 tetor, çmimi mesatar i një galoni benzine në SHBA arriti në 4.22 dollarë, duke shtuar presionin mbi buxhetet familjare.
Dhe sa i përket lidhjes mes parave dhe marrëdhënieve në çift, një sondazh i tetorit 2026 nga CFP Board tregoi se 65% e amerikanëve të martuar ose që bashkëjetojnë e konsiderojnë paranë një nga burimet kryesore të stresit në marrëdhënien e tyre.
Më shumë se gjysma e të anketuarve thanë se nuk mund ta donin plotësisht një person, nëse nuk kishin besim te mënyra se si ai menaxhonte paratë.
Pra, kursimet më të mëdha mund të sjellin më shumë siguri financiare dhe të ulin tensionet në çift, por nuk garantojnë një martesë të lumtur.
Kjo mbetet më shumë se çështje parash…/mxh
