Injeksionet për rënie në peshë po fitojnë gjithnjë e më shumë përdorues, por humbja e shpejtë e kilogramëve mund të shoqërohet edhe me ndryshime të dukshme në trup dhe në pamjen e fytyrës. Specialistët paralajmërojnë veçanërisht për humbjen e masës muskulore dhe atë që njihet si “fytyra Ozempik”, një fenomen që lidhet me pakësimin e yndyrës në fytyrë.
Prof. Dr. Ozlem Su Kucuk, drejtuese e Departamentit të Dermatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Bezmialem Vakif, këshillon personat që ndjekin trajtime për dobësim të tregojnë kujdes të veçantë ndaj ushqyerjes. Sipas saj, marrja e 1 deri në 1.5 gramë proteina për çdo kilogram të peshës trupore në ditë mund të ndihmojë në ruajtjen e masës muskulore gjatë rënies në peshë.
Krahas proteinave, rëndësi kanë edhe aktiviteti fizik, veçanërisht ushtrimet e rezistencës, si dhe hidratimi i mjaftueshëm. Këto masa ndihmojnë organizmin të përballojë ndryshimet që shoqërojnë dobësimin dhe të ruajë sa më mirë masën muskulore.
Një tjetër efekt që po diskutohet gjithnjë e më shumë është e ashtuquajtura “fytyra Ozempik”. Humbja e yndyrës në zonën e fytyrës mund të bëjë që mollëzat të duken më të fundosura, të krijohen zgavra poshtë syve dhe rrathë më të theksuar të errët. Në disa raste, shfaqen edhe rrudha dhe varje e lëkurës në fytyrë dhe në qafë. Këto ndryshime lidhen me humbjen e shpejtë të peshës dhe pakësimin e volumit që i jep fytyrës yndyra nënlëkurore.
Specialistja thekson se trajtimet për dobësim, veçanërisht injeksionet që veprojnë përmes receptorëve GLP-1, duhet të përdoren vetëm nën mbikëqyrjen e mjekut dhe pas një vlerësimi profesional. Ajo paralajmëron gjithashtu kundër marrjes së pakontrolluar të vitaminave dhe suplementeve ushqimore. Pa këshillën e specialistit, këto produkte mund të shkaktojnë reaksione të lëkurës, ndërveprime me medikamente të tjera dhe probleme që prekin mëlçinë apo veshkat.
Sa i përket ndryshimeve estetike në fytyrë, në rastet kur shfaqen rrudha ose varje e theksuar e lëkurës, mund të kërkohet këshilla e dermatologut. Në varësi të gjendjes dhe nevojave individuale, mund të shqyrtohen trajtime si PRP-ja apo mbushësit dermalë.
Megjithatë, Kucuk nënvizon se procedurat estetike duhet të kryhen vetëm nga mjekë të specializuar. Ndërhyrjet nga persona të pakualifikuar mund të sjellin komplikacione dhe probleme serioze shëndetësore. Mesazhi i ekspertëve është se dobësimi nuk duhet parë vetëm si ulje e numrit në peshore, por si një proces që kërkon kujdes për shëndetin, muskujt dhe lëkurën./ad
