Last Updated on 03/11/2026 by Anisa
Nga 1 janari 2027, qytetarët dhe bizneset në Shqipëri do të kenë më shumë kohë për të kundërshtuar transaksionet bankare të paautorizuara ose të kryera gabim. Afati do të zgjatet nga 6 në 13 muaj, sipas ligjit të ri “Për shërbimet e pagesave”, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare.
Ndryshimet synojnë të rrisin mbrojtjen e përdoruesve të shërbimeve bankare, duke u dhënë më shumë kohë për të identifikuar dhe raportuar pagesat e parregullta.
Ligji i ri parashikon gjithashtu më shumë transparencë për tarifat dhe kushtet e shërbimeve të pagesave, si dhe masa për kufizimin e tarifave të shkëmbimit në pagesat me kartë, me synimin për të nxitur konkurrencën dhe për të ulur kostot për qytetarët dhe bizneset.
Një tjetër ndryshim lidhet me mundësinë që institucionet shqiptare të licencuara të pagesave të ofrojnë shërbimet e tyre në vendet e Bashkimit Europian pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në të njëjtat kushte, institucionet europiane do të mund të operojnë në tregun shqiptar.
Ligji përcakton edhe kërkesa më të qarta për institucionet e parasë elektronike, përfshirë licencimin, kapitalin dhe mbrojtjen e fondeve të klientëve. Gjithashtu, parashikohen masa për forcimin e sigurisë ndaj rreziqeve teknologjike dhe sulmeve kibernetike, si dhe detyrime për raportimin e incidenteve madhore dhe rasteve të mashtrimit.
Ndryshimet janë pjesë e reformave që synojnë zgjerimin e përdorimit të pagesave elektronike dhe reduktimin e parasë fizike në ekonomi.
Ligji u miratua në Kuvend më 22 tetor 2026, me 76 vota pro dhe 3 kundër, ndërsa Presidenti Bajram Begaj e dekretoi më 31 tetor. Hyrja në fuqi është caktuar për 1 janar 2027./ad
