Last Updated on 03/11/2026 by EL
Këngëtarja amerikane e muzikës country, Nicole Taylor, pjesë e grupit Taylor Red, është ndarë nga jeta në moshën 35-vjeçare, pas një beteje me kancerin e gjirit që zgjati prej vitit 2022. Lajmi i trishtë u bë publik nga motrat e saj, Natalie dhe Nika, përmes një videoje emocionuese të publikuar në YouTube.
Nicole ndërroi jetë më 28 shtator. Motrat e saj treguan se fillimisht ishte diagnostikuar me kancer gjiri në stadin e tretë, një formë shumë agresive e sëmundjes, e cila më vonë kishte përparuar në stadin e katërt. “Menduam se do të ishte këtu për të ndarë me të gjithë historinë e shërimit të saj në këtë jetë. Në vend të kësaj, po ndajmë historinë e shërimit të saj në parajsë. Ajo është në paqe dhe nuk vuan më, ndaj jemi mirënjohëse për këtë”, u shpreh Natalie.
Motrat e përshkruan Nicole si “udhëheqësen tonë të patrembur”. Të tria motrat, me flokë të kuq, krijuan grupin muzikor në vitin 2010 në Misisipi, fillimisht me emrin Red Roots. Nicole ishte këngëtarja kryesore dhe interpretonte gjithashtu në kitarë, banjo dhe violinë.
Grupi publikoi albumin e parë, “Red Roots”, në vitin 2011, përpara se të sillte dy albume të tjera, “The Middle of Nowhere” në vitin 2012 dhe “Triplicity” në vitin 2014. Në vitin 2018, motrat ndryshuan emrin e grupit në Taylor Red.
Në vitin 2021, kënga e tyre “Country Money” u bë virale në TikTok, duke rritur më tej vëmendjen ndaj grupit. Edhe pse nuk kishin publikuar një album të plotë që prej vitit 2014, ato kishin zhvilluar më shumë se 1,000 koncerte në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë tyre. Grupi kishte krijuar gjithashtu një komunitet të madh ndjekësish në internet, ndërsa kanali i tyre në YouTube numëron më shumë se 16 milionë abonentë.
