Një 18-vjeçar është arrestuar në Lezhë, pasi dyshohet se shpërndante lëndë narkotike Cannabis Sativa në doza, kryesisht në afërsi të shkollave.
Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Impuls”, në kuadër të planit operacional “Shkolla të pastra”, që synon parandalimin dhe goditjen e rasteve të shitjes së lëndëve narkotike pranë institucioneve arsimore.
Në pranga ka rënë shtetasi K. P., 18 vjeç, banues në Ishull Lezhë.
Sipas policisë, i riu u kap në flagrancë gjatë kontrollit fizik, ku iu gjetën doza të lëndës së dyshuar narkotike, të paketuara dhe gati për shitje. Gjatë kontrollit të mëtejshëm në banesën e tij u zbuluan edhe doza të tjera.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 18-vjeçari ushtronte aktivitetin e shitjes së kanabisit në qytetin e Lezhës, kryesisht në zonat pranë shkollave.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi gjithsej 83 doza të dyshuara Cannabis Sativa, si dhe një telefon celular.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë:
Lezhë-Finalizohet operacioni i koduar “Impuls”, goditet një rast i shitjes së lëndës narkotike Cannabis Sativa në doza, kryesisht në afërsi të shkollave.
Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 18-vjeçari që kryente këtë veprimtari kriminale.
Sekuestrohen 83 doza të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe celulari i të arrestuarit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Mbështetjes Operacionale për Hetimin, të DVP Lezhë, në zbatim të planit operacional “Shkolla të pastra”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Impuls”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi K. P., 18 vjeç, banues në Ishull Lezhë.
Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, ku gjatë kontrollit fizik iu gjetën doza të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, gati për shitje. Në vijim, gjatë kontrollit në banesë iu gjetën doza të tjera të kësaj lënde, gati për shitje.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas shiste doza të lëndës narkotike Cannabis Sativa në qytetin e Lezhës, kryesisht në afërsi të shkollave.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në total 83 doza të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 1 celular.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme./k.m
