Last Updated on 04/11/2026 by Monika
Melat Kiros, një juriste 29-vjeçare me origjinë nga Etiopia, ka hyrë në historinë politike të Shteteve të Bashkuara duke u bërë gruaja e parë e Gjeneratës Z që zgjidhet në Kongresin amerikan.
Kandidatja demokrate fitoi zgjedhjet e 3 nëntorit në distriktin e parë të Kolorados, që përfshin pjesën më të madhe të Denverit, duke siguruar rreth 78% të votave. Por historia e saj politike është më interesante sesa vetë rezultati i zgjedhjeve.
Vetëm katër muaj më parë, Kiros shkaktoi një nga surprizat më të mëdha brenda Partisë Demokratike, kur mundi Diana DeGette, një kongresmene veterane që kishte qëndruar në Uashington për gati 30 vjet dhe kishte fituar 15 mandate radhazi.
Kiros lindi në Etiopi dhe mbërriti në Shtetet e Bashkuara me prindërit kur ishte vetëm 11 muajshe. U rrit në Denver, studioi për drejtësi dhe, përpara se të hynte në politikë, punoi si juriste. Ajo ka punuar gjithashtu si bariste.
E vetëdeklaruar socialiste demokratike, Kiros përfaqëson një brez politikanësh amerikanë që kërkojnë ndryshime më radikale në politikat ekonomike dhe sociale. Ajo mbështet sigurimin shëndetësor universal, kujdesin falas për fëmijët dhe shfuqizimin e agjencisë federale të emigracionit ICE.
Qëndrimet e saj kundër luftës në Gaza dhe ndihmës ushtarake amerikane për Izraelin kanë shkaktuar polemika gjatë fushatës. Kundërshtari i saj i pavarur, Shimon Blau, e akuzoi për retorikë antisemitike, akuzë që Kiros e kundërshtoi, duke theksuar se kritikat e saj drejtohen ndaj shtetit të Izraelit dhe jo popullit hebre.
Në një intervistë për NPR, ajo kishte deklaruar se të rinjtë nuk kanë ndërmend të presin radhën apo të kërkojnë leje për të hyrë në politikë.
Fitorja e saj shënon edhe një tjetër rekord: Kiros bëhet gruaja e parë me ngjyrë që zgjidhet në Kongres nga Kolorado.
Në vitin 2022, demokrati Maxwell Frost ishte bërë përfaqësuesi i parë i Gjeneratës Z në Kongres. Katër vjet më vonë, Kiros i bashkohet këtij brezi, në një moment kur Partia Demokratike po përballet me kërkesa gjithnjë e më të forta për ndryshimin e elitave të vjetra politike.
Në moshën 29-vjeçare, vajza e emigrantëve etiopianë ka arritur atë që për dekada dukej e pamundur për shumë të rinj amerikanë: të rrëzojë një figurë të paprekshme të partisë së saj dhe të sigurojë një vend në Kongres, pa pritur që brezi i vjetër t’ia lirojë./mxh
