Last Updated on 04/11/2026 by EL
Ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Niklas Ström, vizitoi sot Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, duke u njohur nga afër me potencialet e biznesit, nismat e bashkëpunimit dhe projektet që prezantohen në edicionin e 32-të të këtij aktiviteti, të organizuar nga Klik Ekspo Group në Pallatin e Kongreseve.
Gjatë vizitës, ambasadori suedez u ndal në stendën e EU4Inovation ku prezantohen bizneset e mbështetura nga BE, Gjermania dhe Suedia, duke vënë në vëmendje bashkëpunimin dhe nismat që synojnë të sjellin vlera të reja në zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe partneritetin mes dy vendeve.

Prania e përfaqësuesve diplomatikë në këtë panair i jep një dimension të veçantë platformës së bashkëpunimit ndërkombëtar, ku bizneset, institucionet dhe investitorët takohen për të prezantuar ide, produkte, projekte dhe mundësi të reja zhvillimi.
I kthyer në një pikëtakim të rëndësishëm të biznesit vendas dhe ndërkombëtar, Panairi Ndërkombëtar i Tiranës vijon të forcojë rolin e tij si urë lidhëse mes tregjeve, duke promovuar potencialet e ekonomisë shqiptare dhe duke krijuar hapësira të reja për investime e partneritete ndërkombëtare.
