Last Updated on 05/11/2026 by EL
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se ka marrë telefonata nga persona të pakënaqur me punën e sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, por theksoi se nuk ka ndërmend ta largojë atë nga detyra.
Në një intervistë për rrjetin televiziv “ABC News”, Trump konfirmoi mbështetjen për Hegseth, pavarësisht kritikave ndaj drejtimit të tij në krye të Pentagonit.
“Jam plotësisht i vendosur që ta mbaj në detyrë”, deklaroi Trump.
Presidenti pranoi se disa persona e kanë kontaktuar për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj sekretarit të Mbrojtjes, por tha se nuk e kupton arsyen e këtyre kritikave.
“Po marr këto telefonata për të, por nuk e kuptoj pse”, u shpreh ai.
Trump pranoi gjithashtu se emërimi i një sekretari të ri të Mbrojtjes, do të ishte më e lehtë përpara janarit, kur demokratët të marrin kontrollin e Senatit dhe të kenë mundësi të bllokojnë kandidaturat e propozuara nga administrata.
Një ditë më parë, Trump hodhi poshtë raportimet se po shqyrtonte mundësinë e zëvendësimit të Hegseth.
Ai u tha gazetarëve se sekretari i Mbrojtjes po bënte “një punë shumë të mirë”.
Edhe zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell deklaroi se Hegseth nuk do të tërhiqej përballë kritikave politike.
“Sekretari Hegseth është 100% i përkushtuar për të drejtuar Departamentin deri në përfundimin e mandatit të presidentit Trump”, deklaroi Parnell.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance deklaroi më herët, se lufta me Iranin ishte arsyeja kryesore e humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit.
Demokratët kanë kritikuar prej kohësh si vetë luftën me Iranin, ashtu edhe mënyrën se si Hegseth e ka drejtuar atë.
Humbjet e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit, kanë rritur gjithashtu presionin politik ndaj drejtuesve të administratës Trump, ndërsa demokratët përgatiten të marrin kontrollin e të dy dhomave të Kongresit në janar dhe kanë paralajmëruar hetime për vendimet e Pentagonit gjatë luftës me Iranin./mxh
