Në moshën 81-vjeçare, këngëtari i njohur Rod Stewart po ndjek një regjim të rreptë ushqimor dhe fizik për të qenë në formë të mirë përpara turneut të tij të lamtumirës, “The Final Encore”, që do të zhvillohet në vitin 2027.
Artisti ka kaluar disa probleme shëndetësore muajt e fundit. Në gusht iu nënshtrua një ndërhyrjeje për vendosjen e një stenti në arteriet koronare, ndërsa më herët, gjatë një koncerti në Utah, u detyrua të ndërpriste performancën dhe të përdorte maskë oksigjeni pasi ishte pranë të fikëtit në skenë. Ai shpjegoi se në atë kohë vuante nga bronkiti dhe po këndonte në një zonë me lartësi të madhe.
Për t’u mbrojtur nga ftohjet dhe gripi, Stewart ka krijuar edhe një zakon të veçantë, mban doreza të bardha kur del jashtë, njësoj siç bënte Michael Jackson. Ndërkohë, ka reduktuar konsumin e alkoolit, megjithëse pranon se nuk e ka të lehtë ta kufizojë plotësisht.
“Do të doja të arrija ta kontrolloja veten me pijet, por më pëlqen të pi verë gjatë darkës”, pranoi këngëtari. Më tej, ai tregoi edhe këshillën që merr nga bashkëshortja e tij, Penny Lancaster.
“Penny më thotë: ‘Duhet ta kufizosh, zemër’. Unë pi vetëm dy gota. Por më pas, ndonjëherë, filloj të pi edhe martini me mollë dhe mund të konsumoj goxha prej tyre”.
Përpara çdo koncerti, këngëtari i kushton një orë përgatitjes fizike, duke bërë ushtrime shtrirjeje, biçikletë, masazh dhe ushtrime për ngrohjen e zërit. Edhe në shtëpi stërvitet tri herë në javë dhe noton rregullisht. Ai zbuloi se teknikën e notit nën ujë e kishte mësuar nga Frank Sinatra.
Në shtator, Stewart njoftoi se turneu “The Final Encore” do të jetë i fundit pas më shumë se 60 vitesh karrierë në skenë, duke theksuar se kjo nuk nënkupton tërheqjen e tij nga muzika.
“Të dashur miq, ka ardhur koha t’i jap lamtumirën jetës në rrugë. Pas më shumë se gjashtë dekadash, ‘The Final Encore’ do të jetë padyshim turneu im i fundit”, deklaroi ai.
Turneu i vitit 2027 do të përfshijë koncerte në SHBA, Kanada, Irlandë, Angli, Skoci, Irlandën e Veriut dhe vende të tjera të Europës kontinentale./mxh
