Last Updated on 05/11/2026 by EL
Nga Michelle Cottle, The New York Times
Çfarë disfate dërrmuese! Pas muajsh përpjekjesh për t’u bërë ballë rrethanave politike tejet të pafavorshme, shumica e republikanëve u zgjuan të mërkurën me dhimbjen e freskët të përzënies nga votuesit amerikanë, shoqëruar me një dozë të mirë ankthi për atë të ardhmen.
Por jo presidenti Trump. Dyshoj se ai e priti mëngjesin me ndonjë ndjesi padurimi, në mos me entuziazëm të hapur, për atë që e pret: dy vjet përleshjesh të pandërprera, pa doreza, me Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin të kontrolluar nga demokratët. Me fjalë të tjera, parajsa sipas Trumpit.
Po, presidenti nuk di ta pranojë humbjen, siç e dëshmoi 6 janari i përgjakur dhe kaotik. Që herët në këto zgjedhje, ai nisi të manipulonte kushtet e garës në favor të kampit të vet, ndërsa muajt e fundit i kaloi duke iu lutur ndjekësve të silleshin sikur emri i tij të ishte në fletën e votimit.
Por emri i tij nuk ishte vërtet aty, çka do të thotë se tani mund t’i thotë vetes se ky poshtërim elektoral nuk kishte të bënte fare me të. Dhe atij nuk i është bërë kurrë vonë për fatin e Partisë Republikane në tërësi. Kështu, në mendjen e tij, fakti që republikanët u rrëzuan keqas pa të, me gjasë vetëm sa konfirmon rëndësinë e tij.
Trumpit i interesojnë vetëm ato zhvillime që e prekin drejtpërdrejt. Në këtë kuptim, mund të ndiejë një fije shqetësimi që republikanët e tij të bindur si qenushë po ua dorëzojnë kontrollin demokratëve të etur për betejë, të pajisur me kompetencën për të kërkuar detyrimisht dokumente e dëshmi dhe me dy vjet zemërim të akumuluar. Në fund të fundit, një nga argumentet që ua përsëriste më shpesh votuesve republikanë gjatë fushatës ishte se, nëse demokratët fitonin zgjedhjet e mesmandatit, do ta rifillonin menjëherë përndjekjen e padrejtë ndaj tij. Madje, mund të nisnin për të tretën herë procedurën për shkarkimin e tij!
Por, thellë-thellë, me siguri një fitore e demokratëve ishte ajo që dëshironte gjatë gjithë kohës.
Konflikti është elementi i Trumpit. Sa më i ndyrë, aq më mirë. Pavarësisht gjithë mburrjeve për gjërat që ndërton, talenti i tij i vërtetë qëndron te përleshja dhe shkatërrimi. Partisë Republikane ia ka thyer shtyllën kurrizore prej kohësh, ndaj poshtërimi i anëtarëve të saj tashmë i jep, në rastin më të mirë, vetëm një kënaqësi të vogël. Por përballja me shumica demokrate në të dyja dhomat, ende të dehura nga fitorja elektorale? Ja diçka për të cilën ia vlen të jetosh.
Prisni që marrëdhëniet e Trumpit me Kongresin vitin e ardhshëm t’i bëjnë armiqësitë partiake të mandatit të tij të parë të duken si një pushim për meditim. Kryetarët e ardhshëm të Komisionit të Drejtësisë dhe atij të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve me gjasë kanë muaj që ushqehen me proteina dhe hartojnë listat e personave e dokumenteve që do të kërkojnë detyrimisht për hetimet ndaj Trumpit me shokë. Të paktën, kështu shpresoj.
Jo se Trumpi është shqetësuar ndonjëherë shumë për autoritetin e Kongresit. Kjo do të thotë se mund të presim pengim sistematik të kërkesave të demokratëve për dokumente dhe dëshmitarë. Nëse deri në fund të vitit të ardhshëm të paktën nja dy zyrtarë të administratës nuk përballen me akuza për mosbindje ndaj Kongresit, nuk do të jetë sepse kanë munguar përpjekjet për t’i çuar deri aty.
Për Trumpin, ky kaos është pa dyshim shumë më argëtues sesa rutina e mërzitshme dhe mosmirënjohëse e përpjekjes për të qeverisur. Ai nuk ka pasur kurrë ndonjë prirje të madhe për hartimin e politikave, përveç nëse si të tilla llogarisim nxitjen e frikës nga emigrantët dhe vendosjen e një skeme tarifash që duket sikur është hartuar në pjesën e pasme të një pecete. Ndërsa “arritjet” e mandatit të tij të dytë, deri tani, kanë qenë po aq të mirëpritura sa një trajtim kanali dentar pa anestezi.
Siç e ka zakon, Trumpi u është përgjigjur dështimeve të veta duke u ankuar se publiku nuk pranon t’ia vlerësojë gjithçka që ka bërë për të. Para zgjedhjeve, anëtarët e administratës së tij iu luteshin votuesve të bënin edhe pak durim, t’u jepnin më shumë kohë politikave të qeverisë që të shfaqnin rezultatet pozitive. Ndërkohë, ndoshta mund t’u blinin më pak lodra fëmijëve të tyre të llastuar.
Tani kjo ka marrë fund. Që këtej e tutje, Trumpi thjesht mund t’ua hedhë ligjvënësve demokratë fajin për gjithë paaftësinë e vet. Çmime të larta të karburantit? Një luftë katastrofike në Iran? Sigurime shëndetësore më të shtrenjta? Spitale në zonat rurale që mbyllen? Eh! Sikur shumicat demokrate radikale, komuniste dhe ekstremiste ta linin Trumpin të bënte magjinë e tij, të gjitha këto probleme, e plot të tjera, do të ishin zgjidhur tashmë.
A do të funksionojë kjo hedhje e fajit? Ndoshta te besnikët e verbër të Trumpit. Por zakonisht presidenti fajësohet për pjesën më të madhe të asaj që ndodh gjatë mandatit të tij, dhe një pjesë gjithnjë e më e madhe e elektoratit tashmë ia ka kuptuar lojën.
Ka pasur spekulime nëse, përballë një pushteti të ndarë mes dy partive, Trumpi do të përpiqet të arrijë disa marrëveshje dypartiake. Ndoshta të ndërmarrë ndryshime populiste në taksa, të ulë çmimet e barnave me recetë apo… fundja, të bëjë diçka.
Është vërtet e këndshme të përfytyrosh se presidentit i intereson mjaftueshëm, në mos mirëqenia e amerikanëve, të paktën trashëgimia e vet politike, sa të angazhohet seriozisht për të ndihmuar edhe njerëz të tjerë përveç miqve të tij të pasur dhe familjes së vet zhvatëse. Por unë nuk do të mbaja shumë shpresa. Trumpi nuk ka shfaqur kurrë ndonjë interes apo durim të madh për të negociuar marrëveshje të ndërlikuara dypartiake. Në vend që të humbasë kohë me negociata për politikat, ka më shumë gjasa të rrijë duke parë pa pushim Fox News dhe duke vrarë mendjen si t’i acarojë armiqtë e tij demokratë me një tjetër monument përbindësh kushtuar vetes.
Vitet e fundit të një presidence mund të jenë të zymta. Sidomos nëse, si Trumpi, ke bërë një punë të dobët. Elektorati është lodhur me ty. Njerëzit e tu në Kongres po përqendrohen gjithnjë e më shumë te e ardhmja pas teje. Më keq akoma, njerëzit presin që të marrësh përgjegjësi për problemet kundër të cilave dikur shfryje, bashkë me politikat e dështuara që i ke imponuar me forcë. E ku është kënaqësia këtu?
Në vend të kësaj, Trumpi tani mund t’i kalojë ditët e mbetura në detyrë duke u zhytur në përleshje dhe kaos të përhershëm. Aty është ndier gjithmonë më i lumtur, pavarësisht kostos për ne të tjerët./et
