Last Updated on 05/11/2026 by Monika
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, njëkohësisht kryetare e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën ka folur sot në mbledhjen e komisionit për sjelljen dhe arrestimet e policisë ndaj protestuesve.
Zhupa, e cila tregoi rastin e një qytetari të arrestuar sepse kishte valëvitur flamurin kombëtar, i cilësoi efektivët si “banditë civilë” që po rrëmbejnë persona në mes të Tiranës.
Sipas saj kjo lloj sjellje ka për qëllim trembjen e protestuesve dhe shkatërrimin e protestës.
“Qëkur duhet të marrësh leje në këtë shtet për të valëvitur flamurin kombëtar. Apo në shtetin e tradhtarëve të jesh patriot është krim. Banditët civilë rrëmbejnë personat në mes të Tiranës. Kjo sjellja brutale që bëni ju ka vetëm një qëllim. Ka qëllimin për të bërë represion shtetëror, për të ngulitur në mendje që shteti do të marrë hak për këto protesta që po bëni kundër Edi Ramës dhe mendoni se me këtë repression ju do të ngrini frikën dhe mendoni se me këtë represion do të mund të shkatërroni protestën, por harroni që i bëni dhe më të fortë”, u shpreh Zhupa./mxh
