Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, ka publikuar listën e lojtarëve për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve ndaj Sllovenisë dhe Skocisë, ku vëmendjen kryesore e marrin rikthimet e Granit Xhakës dhe Breel Embolos.
Dy futbollistët munguan në grumbullimin e kaluar për shkak të polemikave të lidhura me certifikatat e falsifikuara gjatë pandemisë COVID-19.
Në rastin e Xhakës, ai kishte pranuar se kishte siguruar certifikata të falsifikuara të vaksinimit, ndërsa Embolo ishte dënuar për blerjen e certifikatave të falsifikuara të testimit.
Yakin: Xhaka është kapiteni dhe lideri ynë
Duke folur për rikthimin e kapitenit të Zvicrës, Yakin konfirmoi se çështja është diskutuar dhe se Xhaka ka kërkuar falje për veprimet e tij.
“Gjithçka është diskutuar. Graniti e ka pranuar gabimin dhe ka kërkuar falje. Ai më kishte dërguar edhe një mesazh para ndeshjeve në të cilat mungoi. Jam i bindur se, kur të bashkohet me ne të hënën, për të do të ketë rëndësi vetëm Kombëtarja”, deklaroi Yakin.
Trajneri zviceran ishte i qartë edhe për çështjen e shiritit të kapitenit, duke theksuar se kjo nuk ka qenë asnjëherë në diskutim.
“Nuk do t’i këshilloja që të hiqte dorë nga shiriti i kapitenit. Graniti është kapiteni dhe lideri ynë. Ai ka zhvilluar 152 ndeshje me Zvicrën. Jo, kjo nuk është temë diskutimi”, u shpreh Yakin.
Yakin kërkon bisedë sqaruese me Embolon
Ndërkohë, për rikthimin e Breel Embolos, përzgjedhësi zviceran foli edhe për pakënaqësinë e shprehur nga sulmuesi pas vendimit për ta lënë jashtë grumbullimit të kaluar.
Embolo kishte kritikuar mënyrën se si Federata Zvicerane e Futbollit e kishte trajtuar rastin e tij, duke theksuar se ishte ndier i zhgënjyer nga krahasimi me çështjen e Xhakës.
Yakin tha se sulmuesi ka të drejtë ta shprehë qëndrimin e tij, por theksoi se tani është e rëndësishme që ai të përqendrohet te futbolli.
“Ne i dimë përmbajtjet e intervistës. Breel ka të drejtë të shprehë qëndrimin e tij. Për ne është e rëndësishme se çfarë reagimi do të tregojë në fushë”, deklaroi trajneri.
Ai shtoi se palët duhet të zhvillojnë edhe një bisedë për t’i sqaruar gjërat.
“Breel ishte i zemëruar sepse nuk mundi të luante, por duhet ta pranojë atë që ka ndodhur. Sigurisht që nevojitet edhe një bisedë tjetër, ku të gjithë të ulemi në një tavolinë dhe t’i diskutojmë gjërat”, u shpreh Yakin.
Milani synon transferimin e Embolos nëse dështon Hojlund 5:”Bardh
Pesë rikthime dhe dy emra të rinj në listë
Përveç Xhakës dhe Embolos, në ekipin kombëtar janë rikthyer edhe Denis Zakaria, Rubén Vargas dhe Miro Muheim, të cilët kishin munguar së fundmi për shkak të lëndimeve.
Ndërkohë, Yakin ka ftuar për herë të parë portierin e FC Zurichut, Silas Huber, dhe sulmuesin e krahut Samuel Ballet, i cili aktivizohet te klubi turk Amedspor.
Zvicra do të luajë fillimisht ndaj Sllovenisë më 13 nëntor në Maribor, ndërsa tri ditë më vonë do të përballet me Skocinë në shtëpi.
Për këto dy takime, Yakin ka vendosur të grumbullojë 28 futbollistë, dy më shumë se zakonisht. Arsyeja lidhet me gjendjen fizike të disa lojtarëve, përfshirë Zeki Amdounin dhe Ricardo Rodriguezin, të cilët janë duke u rikuperuar nga lëndimet.
Një pikë ndaj Sllovenisë do t’ia siguronte Zvicrës vendin e parë në grup dhe ngjitjen në Ligën A të Ligës së Kombeve. /et


