Debati për grupin e mbyllur në Facebook, ku pretendohet se disa vajza janë shënjestruar me fyerje, ofendime dhe bullizim në të kaluarën, po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha. Pas dëshmive dhe reagimeve të fundit, në këtë diskutim është përfshirë edhe Fjolla Fetinci, bashkëshortja e këngëtarit Ardian Bujupi.
Përmes një videoje në TikTok, Fjolla ka shprehur hapur revoltën e saj ndaj atyre që, sipas saj, përpiqen të minimizojnë veprime të tilla duke i justifikuar me moshën e personave që i kanë kryer.
Ajo ka vënë në pikëpyetje faktin se si mund të konsiderohen gabime të zakonshme të rinisë sjelljet që, sipas pretendimeve, kanë vazhduar për javë apo edhe muaj të tërë në internet.
Në reagimin e saj, Fjolla u ndal veçanërisht te pasojat që këto sulme mund të kenë shkaktuar në jetën private dhe familjare të vajzave të përfshira.
Sipas saj, situata kishte shkuar deri aty sa mesazhe u ishin dërguar edhe baballarëve dhe familjarëve të tyre, ndërsa në internet ishin shpërndarë fotografi dhe rrëfime që ajo i cilëson të pavërteta.
“Si mund të kesh guximin të dalësh para mijëra njerëzve, të ulesh para kamerës dhe të thuash gjëra të tilla, duke mos menduar se jetë njerëzish janë shkatërruar pjesërisht?”, u shpreh ajo, duke shprehur indinjatën për mënyrën se si po trajtohet kjo histori.
Në përfundim të videos, Fjolla u shfaq e prekur emocionalisht, duke theksuar se e ka të vështirë të kuptojë se si ende ka persona që justifikojnë sjellje të tilla.
Rikthimi i kësaj çështjeje në vëmendjen publike lidhet edhe me emrin e Jona Krasniqit, aktualisht pjesë e Big Brother VIP Kosova 5, e cila përmendet në pretendimet që kanë qarkulluar lidhur me grupin në Facebook.
Ndërkohë, një tjetër dëshmi që ka shtuar interesin për këtë histori ishte ajo e influencueses Doresa. Në një intervistë për “Prive By LS”, ajo foli për herë të parë më gjerësisht për përvojën e saj me bullizimin, duke mos i mbajtur dot lotët teksa kujtonte atë periudhë. Në rrëfimin e saj përmendi edhe Jonën.
Ngjarja ka hapur sërish një debat të gjerë në rrjetet sociale mbi bullizimin online, dëmin emocional që mund të shkaktojë dhe përgjegjësinë që duhet të mbajnë personat e përfshirë në sjellje të tilla, edhe kur ato kanë ndodhur vite më parë./mxh
