Prokuroria për Krimin e Organizuar ka regjistruar një çështje lidhur me kallëzimin penal ndaj drejtorit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Vladimir Orlić, nën dyshimin për shpërdorim të detyrës zyrtare. Mbi të njëjtën bazë, ka nisur hetimi edhe ndaj Nenad Vujić, ministrit të Drejtësisë në detyrë, si dhe dhjetëra personave të tjerë, shkruan Vreme.
Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar (TOK) ka krijuar dy çështje lidhur me kallëzimet penale të paraqitura nga avokati Ivan Ninić, të cilat kanë të bëjnë me abuzime të dyshuara që lidhen me të drejtat zgjedhore. Kallëzimet përfshijnë drejtorin e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit, Vladimir Orlić, ministrin e Drejtësisë në detyrë, Nenad Vujić, si dhe dhjetëra persona të tjerë.
Siç njoftoi TOK, shqyrtimi i kallëzimeve bazohet në Udhëzimin e Përgjithshëm të Detyrueshëm të Prokurorisë së Lartë Publike, të datës 20 tetor, i cili përcakton mënyrën e veprimit të prokurorëve publikë gjatë procedurave paraprake hetimore dhe procedimeve penale për veprat kundër të drejtave zgjedhore.
Kallëzim ndaj drejtuesve dhe punonjësve të BIA-s
Kallëzimi penal ndaj Orlić dhe disa zyrtarëve të BIA-s është paraqitur për shkak të dyshimeve për shpërdorim të detyrës zyrtare, në lidhje me cenimin e së drejtës së votës dhe detyrimin për të votuar.
Për të verifikuar pretendimet e paraqitura në kallëzim dhe për të mbledhur informacione gjatë procedurës paraprake hetimore, TOK i kërkoi Shërbimit për Luftën kundër Krimit të Organizuar të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) të kryejë verifikimet e nevojshme dhe të marrë në pyetje personat e kallëzuar.
Kallëzimi i dytë penal përfshin ministrin e Drejtësisë në detyrë, Nenad Vujić, drejtorin e Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Milet Jandrić, këshilltaren e posaçme të ministrit, Milica Radonjić, si dhe drejtues dhe punonjës të disa institucioneve penitenciare dhe burgjeve të rretheve. Në kallëzim janë përfshirë edhe rreth 60 persona të tjerë.
Në kallëzim përfshihen zyrtarë dhe aktivistë të SNS-së
Përveç personave të përmendur, kallëzimi u referohet edhe zyrtarëve të lartë, përfaqësuesve dhe aktivistëve të panjohur të Partisë Progresive Serbe (SNS).
Ata akuzohen për bashkëpunim për kryerjen e veprave penale, shpërdorim të detyrës, ushtrim të ndikimit të paligjshëm, marrje ryshfeti në lidhje me votimin, mbledhje të paautorizuar të të dhënave personale, punë të pakujdesshme në detyrë, si dhe diskriminim racor dhe forma të tjera diskriminimi.
TOK bëri të ditur se që të mërkurën i kishte kërkuar Shërbimit për Luftën kundër Krimit të Organizuar të MUP-it të mbledhë informacionet e nevojshme dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore për të verifikuar pretendimet e paraqitura në kallëzimin e dytë penal./mxh
