Last Updated on 05/11/2026 by Monika
Gazetarja Klodiana Lala ka folur mbrëmjen e sotme për takimin e shumëpërfolur të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliajt me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogun në burgun e Fierit.
E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” me gazetarin Ylli Rakipi”, Lala u shpreh se ky takim po përdoret nga Veliaj si strategji për në Strasburg dhe për ta nxjerrë veten si të persekutuar.
“Veliaj, që në krye të herës, është përpjekur të nxjerrë veten si të persekutuar, që nga sulmet ndaj institucioneve të drejtësisë. Por fakti që mes Gogut dhe Veliajt ka ndodhur një takim, i cili, nëse do të ishte lajmëruar, do të ishte një gjë krejt normale, është domethënës. Patjetër që zoti Veliaj do ta përdorë këtë gjë në Strasburg.
Fakti që nuk denoncon shantazhin më lind dyshime. Kërcënimet e kryeministrit nuk mund të zgjidhen përmes ditarit. Nëse Veliaj ka rënë pre e shantazhit, duhet t’u drejtohet institucioneve. Ndrecën ka pyetur pse nuk e keni denoncuar zotin Gogu dhe Ramën, por ai nuk dha një përgjigje të qartë. Pra, parë nga ky këndvështrim, duket sikur Veliaj po e përdor si strategji, për shkak se studioja ligjore ka hapur një çështje për të drejtat e njeriut”, u shpreh ajo.
Ndër të tjera, gazetarja tha se përmendja e Arbër Hajdarit “për t’i deleguar detyrën e kryebashkiakut” nga Veliaj nuk ka sens logjik pasi babai i tij, Shkëlqim Hajdari është prefekt.
“Çfarë prisni nga Veliaj? Ai na la te dera e SPAK-ut. Na tha: “Pritni se do të flas”, pastaj shkoi te Këshilli Bashkiak dhe çfarë nuk u bëri gazetarëve. Gogu aty ka vajtur për një mesazh. Është përfolur edhe herë të tjera, por ka një nonsens logjik, pasi zoti Shkëlqim Hajdari është prefekt”, tha Lala./mxh
