Vlerësimi pozitiv i Komisionit Europian për ligjin e ri të Bankës së Shqipërisë ka sjellë reagimin e deputetit demokrat Edmond Spaho, i cili ka ironizuar qëndrimet kritike të mbajtura gjatë debatit për ndryshimet ligjore që lidhen me pavarësinë e bankës qendrore.
Përmes një reagimi, Spaho ngre pikëpyetje mbi kritikat, akuzat dhe debatet e zhvilluara më herët në lidhje me këtë çështje, duke iu referuar edhe emisioneve televizive, analistëve dhe përplasjeve në Kuvend.
Reagimi i tij vjen pasi Komisioni Europian, në Raportin e Progresit 2026, ka vlerësuar miratimin e ligjit të ri për Bankën e Shqipërisë, duke konstatuar se legjislacioni shqiptar është përafruar me acquis-in e Bashkimit Europian për pavarësinë e bankës qendrore dhe ndalimin e financimit monetar të sektorit publik.
Ky vlerësim shënon një ndryshim të rëndësishëm krahasuar me raportet e viteve 2024 dhe 2025, kur Komisioni Europian kërkonte përpjekje të mëtejshme për garantimin e pavarësisë së plotë të Bankës së Shqipërisë dhe përafrimin e plotë të legjislacionit me standardet europiane.
Duke iu referuar këtij zhvillimi, Spaho ka zgjedhur një ton ironik, duke vënë në pikëpyetje qëndrimet e atyre që kundërshtuan ndryshimet dhe mënyrën se si u zhvillua debati publik.
“Po tani? Ku janë gjithë ato qëndrime kritike, anatema dhe ‘komplote’? Ku janë analistët, emisionet e pafundme televizive, britmat dhe bllokimet në Parlament?
Kështu ngjet kur flet goja para mendjes dhe përton të lexosh edhe një fletë të vetme nga praktika europiane dhe botërore e Bankave Qendrore”, shkruan Spaho.
Në qendër të debatit për ligjin e ri ka qenë pavarësia e Bankës së Shqipërisë, një prej parimeve themelore të funksionimit të bankave qendrore në Bashkimin Europian. Komisioni Europian vlerëson se me miratimin e ligjit të ri në tetor 2026, Shqipëria ka bërë përparim në këtë drejtim.
Në vlerësimin e përgjithshëm për kapitullin 17, “Politika ekonomike dhe monetare”, Shqipëria ka kaluar nga një nivel i moderuar dhe i mirë përgatitjeje në vitin 2025, në një nivel të mirë përgatitjeje dhe përparim të mirë në raportin e vitit 2026./ad
