Rhiannon Lucy Cosslett
Ka një pikturë për të cilën mendoj shpesh. Është “Madonna del Parto”, një kryevepër e realizuar nga Piero della Francesca rreth vitit 1460, e cila ndodhet në një muze të posaçëm në qytetin Monterchi, në Toskanë. Ajo paraqet Virgjëreshën Mari shtatzënë, të rrethuar nga dy engjëj. Për gratë e zonës, kjo pikturë është konsideruar si një mbrojtëse e pjellorisë dhe e jetës së grave gjatë lindjes. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, gratë e fshatit rrethuan dy burra, të cilët i kishin ngatërruar me nazistë të ardhur për të vjedhur pikturën. Në vitin 1954, ato organizuan një protestë kundër zhvendosjes së saj në Firence, ku do të ekspozohej. Më kujtohet se, kur e lexova këtë histori si studente, më mbeti në mendje fakti se gratë ishin shtrirë në rrugë për të penguar largimin e saj.
Mendova sërish për ato gra dje, teksa vizitoja ekspozitën e Jenny Saville në Galerinë Kombëtare të Portreteve dhe ndiqja gjurmët e ndikimit që arti i Rilindjes ka lënë në krijimtarinë e saj. Dialogu i Saville me piktorët e mëdhenj nisi që në moshë të re, kur xhaxhai i saj, historian arti, e mori me vete në Venecia. Ky ndikim e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës, veçanërisht në pikturat që trajtojnë mëmësinë, ku ajo paraqet veten duke mbajtur në krahë një fëmijë ose të dy fëmijët e saj. Këto vepra janë frymëzuar fuqishëm nga Leonardo da Vinci dhe Michelangelo. Hija e Madonnave të tyre duket sikur qëndron pezull në vijat e skicave që rrethojnë figurën e nënës në pikturat e Saville. Një nga veprat e saj më të njohura, “Pietà I”, e realizuar me qymyr dhe pastel, është fryt i studimeve të saj mbi veprën “Zbritja nga Kryqi” të Michelangelos.
Kam frikë se mos ju humbas mes këtij shpjegimi paksa të specializuar për artin, ndaj le të kthehemi te gratë protestuese të Monterchit. Në fillim të të njëzetave, më dukej e çuditshme që dikush mund të kujdesej aq shumë për një pikturë të Rilindjes, sa të shtrihej në rrugë për ta mbrojtur. Ky art më linte krejtësisht indiferente, ndoshta edhe për shkak të mungesës së besimit tim fetar. E kisha hedhur poshtë si një përzierje foshnjash të rrumbullakosura, që dukeshin si burra të vegjël, dhe figurash njerëzore që vetëm tregonin me gisht ose gjunjëzoheshin. E kuptoja rëndësinë e tij në planin akademik – “agimi i perspektivës!” – dhe, sigurisht, studioja e analizoja veprat e Ticianit dhe Michelangelos, të përfshira në programin mësimor. Madje, kisha dhënë edhe një provim me gojë në italisht, të zhvilluar sipas metodës sokratike, mbi veprat e Leonardos. Por, kur kisha mundësi të zgjidhja, gjithmonë drejtohesha nga arti abstrakt dhe ai bashkëkohor. Asnjë vepër e Rilindjes nuk më fliste aq sa një pikturë e Rothkos apo e Joan Mitchellit.
E dija se problemi qëndronte tek unë: thjesht nuk arrija ta kuptoja. Ajo lloj alkimie e çuditshme, përmes së cilës disa vepra arti të prekin thellë në shpirt, më mbetej e paarritshme. Më shumë se një dekadë më vonë, teksa qëndroja përballë pikturave të Saville mbi mëmësinë, kuptova se paaftësia ime për të depërtuar në kuptimin e disa veprave kishte më shumë të bënte me mungesën e përvojës jetësore sesa me mungesën e besimit fetar.
Kur isha 23 vjeçe, një burrë u përpoq të më vriste. Trauma e asaj ngjarjeje u shfaq, ndër të tjera, edhe në prirjen time drejt artit barok (pretencioze, ndoshta, por të gjithë e përpunojmë traumën përmes artit, më shpesh përmes muzikës. Në rastin tim, ky ishte death metali). Shëtisja me ish-të dashurin nëpër kishat e Romës për të parë veprat e Caravaggios. Në Galerinë Uffizi qëndrova përballë pikturës “Judith që vret Holofernin”, të Artemisia Gentileschit, dhe ndjeva zemërimin e saj.
Kur isha më e re, asgjë nuk më dukej më e sikletshme sesa të shfaqja sinqeritetin. Prandaj, si shumë njerëz në të njëzetat, e fshihja naivitetin pas një cinizmi të lodhur dhe të sforcuar. Por jeta ndodh. Ndodhin gjëra të mëdha, ndonjëherë edhe të tmerrshme, dhe besoj se me kalimin e moshës vjen edhe guximi për t’u përfshirë emocionalisht, pa u druajtur se mos dukesh tepër i ndjeshëm. Kur isha e re, ndihesha e mbyllur ndaj ndërlikimeve emocionale të përvojave të tilla si vdekja, shtatzënia apo mëmësia. Nuk doja të përballesha me to.
Më pas, kur fillova të mendoja për mundësinë e të pasurit një fëmijë, fillova të ndalesha te pikturat që paraqesin Lajmërimin. Është ai çast kur engjëlli Gabriel i njofton Virgjëreshës Mari se do të lindë një fëmijë. Edhe pse nuk besoja në konceptimin e virgjër, mënyra se si artistët kishin përkthyer në imazh atë moment, atë paralajmërim të një transformimi të madh në jetë, më preku papritur. Aq më tepër kur mësova se isha shtatzënë.
Kur isha fëmijë, kisha kopjuar engjëllin e Fra Angelicos nga një libër i nënës sime, duke e shpërfillur plotësisht figurën e Marisë. Por tani, si grua, kur qëndroja përballë pikturës në Firence, nuk arrija t’i hiqja sytë nga shprehja e fytyrës së saj. T’i shohësh këto vepra nga afër bën shumë ndryshim, por ndoshta rol kanë luajtur edhe hormonet.
Këtë verë, një mikeshë e ngushtë më tregoi se kishte mbetur shtatzënë. Gjithçka kishte ndodhur aq shpejt, sa nuk e priste, njësoj siç më kishte ndodhur edhe mua. I dërgova imazhin e asaj pikture dhe i shkrova, me një lloj poetizimi: “Dukesh sikur do të vjellësh”. Ndoshta ende më duhet kohë për ta kapërcyer rezistencën ndaj sinqeritetit, por nuk do të kthehesha për asgjë në botë te vetja ime cinike e rinisë. Më mirë të jem ajo grua që, sapo është bërë nënë, qan përpara një Madonne të Rafaelit, sado e sikletshme të jetë kjo.
Nuk qava në ekspozitën e Saville, por nuk isha larg lotëve përpara veprës “Aleppo”, Pietà-së së saj kushtuar fëmijëve të Sirisë. Për mua, ajo mishëronte edhe gjithë dhimbjen dhe agoninë e nënave të Gazës, fëmijët e të cilave janë vrarë nga Izraeli.
Tani e kuptoj se gratë e Monterchit nuk po mbronin thjesht një kryevepër arti. Në sytë e tyre, ato po mbronin njëra-tjetrën dhe foshnjat e tyre. Të lejosh veten të prekesh nga arti do të thotë të lejosh veten të ndiesh dhimbjen e të tjerëve. Të jesh i gatshëm të rrezikosh për ta. Ose, thënë ndryshe, të jesh gati të shtrihesh në rrugë.
Përgatiti për botim: L. Veizi
