Last Updated on 06/11/2026 by EL
Shqipëria e ka fituar tashmë vëmendjen e turistëve ndërkombëtarë, por sfida e radhës për sektorin është ta shndërrojë këtë interes në zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, me një ofertë cilësore që funksionon gjatë gjithë vitit.
Në panelin “The Next Tourism Chapter for Albania – Quality investment and year round opportunity”, zhvilluar më 6 nëntor në kuadër të edicionit të 32-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës (TIF32), organizuar nga Klik Ekspo Group, diskutimi u përqendrua te nevoja për të diversifikuar ofertën turistike, tërhequr investime afatgjata dhe forcuar lidhjen e turizmit me ekonominë vendase, në mënyrë që përfitimet të mos kufizohen vetëm në sezonin veror.
Majlind Lazimi, drejtor i Horëath HTL Albania dhe pjesë e ekipit të hartimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Turizmit 2025-2030, vuri në dukje se Shqipëria ka kaluar fazën kur ishte një destinacion pak i njohur për turistët e huaj. Sipas tij, kërkesa për Shqipërinë është tashmë e konsoliduar, ndërsa sfida kryesore është kalimi nga rritja e numrit të turistëve drejt rritjes së vlerës që ata lënë në ekonomi.
Ai evidentoi disa prej prioriteteve për zhvillimin e sektorit, ku përfshihen cilësia e investimeve, formalizimi i tregut, përmirësimi i kuadrit rregullator, zhvillimi i produkteve turistike sipas potencialit të territoreve dhe krijimi i një identiteti të qartë për destinacionet shqiptare. Një vëmendje të veçantë kërkohet edhe për infrastrukturën publike, transportin, furnizimin me ujë dhe burimet njerëzore.
Sipas Lazimit, zhvillimi i turizmit nuk mund të mbështetet vetëm te ndërtimi i kapaciteteve akomoduese, por kërkon investitorë me vizion afatgjatë, që e shohin aktivitetin përtej fitimeve të disa sezoneve. Po ashtu, ai theksoi rëndësinë e organizatave të menaxhimit të destinacioneve, për të koordinuar institucionet, bizneset dhe komunitetet në zhvillimin e ofertës turistike.
Një tjetër element i diskutuar ishte autenticiteti si avantazhi kryesor konkurrues i Shqipërisë. U sollën shembuj nga përvoja me turistët, të cilët kërkojnë të provojnë produkte dhe eksperienca autentike shqiptare, dhe jo oferta të ngjashme me ato që mund të gjejnë në destinacione të tjera. Trashëgimia kulturore, gastronomia dhe karakteristikat lokale u evidentuan si elemente që mund të krijojnë vlerë të shtuar dhe të diferencojnë vendin në tregun ndërkombëtar.
Në këtë drejtim, u theksua se çmimi nuk është faktori i vetëm që përcakton zgjedhjen e turistëve apo rikthimin e tyre në një destinacion. Cilësia e shërbimit, përvoja dhe mënyra se si vizitorët ndihen gjatë qëndrimit janë po aq të rëndësishme. Një eksperiencë jo e kënaqshme mund të ndikojë në vendimin e turistëve për të mos u rikthyer, pavarësisht çmimeve konkurruese.
Paneli evidentoi gjithashtu se Shqipëria ka ende potencial për të ruajtur trendin pozitiv të turizmit, por kërkohet një qasje më e strukturuar ndaj zhvillimit të ofertës dhe përfshirjes së bizneseve vendase në zinxhirin e vlerës.
