Last Updated on 06/11/2026 by Monika
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të enjten se një marrëveshje “shumë e madhe” është në përgatitje me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Trump i bëri këto komente pas një takimi të paplanifikuar me të dërguarin special të presidentit rus Vladimir Putin, Kirill Dmitriev, në Shtëpinë e Bardhë.
Duke folur me gazetarët, presidenti tha se lufta Rusi-Ukrainë ishte shumë afër zgjidhjes dhe se përfundimi i saj mund të përfshijë “të gjithë Evropën”.
“Nuk mund t’ju them se çfarë diskutova. Por po ju them vetëm se do të jetë një marrëveshje, do të jetë një marrëveshje e madhe. Do të jetë shumë e madhe. Do të përfshijë më shumë se vetëm Ukrainën , dhe madje mund të them se mund të përfshijë të gjithë Evropën. Do të jetë një marrëveshje e madhe dhe e bukur, dhe të gjithë do të jenë të emocionuar”, tha Trump nga Zyra Ovale
Nga ana tjetër, dhëndri i Trump dhe i dërguari i SHBA-së, Jared Kushner, tha se Shtetet e Bashkuara, NATO dhe partnerët evropianë zhvilluan të enjten diskutime produktive dhe thelbësore mbi zgjidhjen e luftës në Ukrainë.
“Objektivi ynë është të adresojmë shqetësimet e sigurisë të të gjitha palëve përmes marrëveshjeve praktike, të dakordësuara reciprokisht, që zvogëlojnë rrezikun e konfliktit të ardhshëm”, shkroi ai në X, përpara diskutimeve javën e ardhshme në Abu Dhabi që përfshijnë Kievin dhe Moskën.
Edhe para kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka bërë premtime të ngjashme në lidhje me një përfundim të afërt të konfliktit, duke thënë në mënyrë të famshme se do t’i jepte fund luftës brenda një dite pasi të bëhej president.
Delegacione nga Rusia dhe Ukraina ishin në Shtëpinë e Bardhë të enjten për një aktivitet në nder të punës së Zonjës së Parë Melania Trump në ndërmjetësimin e një armëpushimi të kohëve të fundit në qytetin e shkatërruar nga lufta, Oleshky.
Duke folur me ftesë të saj, i dërguari rus Dmitriev falënderoi Zonjën e Parë për “rolin e saj të shquar humanitar” në sigurimin e armëpushimit gjashtëditor. Dmitriev shtoi se Putini dha personalisht udhëzime si pjesë e operacionit dhe i dërgoi falënderimet e tij Melania Trump.
Kreu i fraksionit parlamentar të partisë së Presidentit Volodymyr Zelenskyy , Davyd Arakhamia, dhe avokati i popullit për të drejtat e njeriut i Ukrainës, Dmytro Lubinets, folën gjithashtu në këtë aktivitet.
Arakhamia i tha zonjës së parë se ajo bëri një “punë të mrekullueshme” dhe e inkurajoi atë të vazhdonte të ndihmonte popullin ukrainas.
“Patjetër që do të donim t’ju kërkonim të vazhdoni, të gjeni misione të reja dhe të ulni tensionet sa më shumë që të jetë e mundur”, tha Arakhamia./MXH
