Dhjetëra persona u vranë dhe shumë të tjerë janë plagosur pas një sulmi ndaj një tregu në provincën Taiz, në jugperëndim të Jemenit, një zonë e përfshirë prej vitesh nga konflikti i armatosur, bëhet e ditur sipas raportimeve të disa burimeve sot.
Rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, dhe qeveria e Jemenit e njohur ndërkombëtarisht kanë fajësuar njëri-tjetrin për sulmin.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e cila kontrollohet nga Houthit në Sana, 30 persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën nga disa sulme ajrore të avionëve luftarakë të Forcave Ajrore Saudite në tregun e zonës Al-Waziyah. Arabia Saudite, e cila drejton një koalicion ushtarak kundër Houthive, nuk kishte reaguar fillimisht ndaj këtyre akuzave.
Ndërkohë, autoritetet e qeverisë jemenase, të mbështetur nga Riadi, mohuan që koalicioni të kishte kryer sulme ajrore në atë zonë dhe fajësuan milicinë Houthi.
Sipas versionit të tyre, në treg mund të kenë rënë raketa balistike që kishin devijuar nga trajektorja e parashikuar.
Tregu ndodhet në një territor të kontrolluar nga rebelët.
Rebelët Houthi prej vitesh përpiqen të marrin nën kontroll qytetin e rëndësishëm të Taizit. Në shtator, ata ndërmorën një avancim të papritur, duke pushtuar territore të konsiderueshme dhe duke siguruar qasje në Ngushticën strategjike të Bab al-Mandabit, mes Gadishullit Arabik dhe Bririt të Afrikës.
Pas këtij zhvillimi, koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite nisi një ofensivë të gjerë për të rimarrë territoret e humbura./mxh
