Një 36-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur me armë zjarri në zonën e Kolonos, në Athinë. Sipas mediave greke, shqiptari u gjet rreth orës 20:30 me kohën lokale brenda një automjeti me plagë në pjesën e barkut, të shkaktuara nga arma e zjarrit.
36-vjeçari u transportua me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, pas telefonatës së një banori të zonës, i cili kishte njoftuar autoritetet për të shtënat me armë zjarri.
Gjatë këqyrjes paraprake të vendit të ngjarjes, policia gjeti dy gëzhoja, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura rrethanat dhe motivet e sulmit me armë.
Në kuadër të hetimeve, dy persona janë shoqëruar dhe po merren në pyetje nga autoritetet greke, të cilat po përpiqen të zbardhin ngjarjen dhe të identifikojnë autorët e mundshëm të plagosjes./mxh
