Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar të shtunën se i ka ofruar Dana White, drejtuesit të organizatës së arteve marciale mikse UFC, postin e zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë.
“Jam i kënaqur të njoftoj se të madhit Dana White, një luftëtar dhe kampion i vërtetë, i është ofruar posti i zëdhënësit të Shteteve të Bashkuara. Ai do të ishte një zëdhënës si askush tjetër”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke shtuar: “Dana, të lutem pranoje këtë detyrë!”.
I pyetur nga gazetarët në Londër të shtunën në mbrëmje, White nuk dha shumë detaje, por konfirmoi se ishte nisur drejt Uashingtonit dhe se do të takohej me Trump të hënën. “Jam i sigurt se do të kemi më shumë për të diskutuar pas këtij takimi”, tha ai, duke vënë në dukje se aktualisht kishte “shumë detyra”.
Më herët, White kishte publikuar në Instagram një fotografi ku shfaqej pas foltores së konferencave për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, të shoqëruar me mbishkrimin: “Drejt kapitullit të ardhshëm”.
Trump dhe White kanë krijuar një marrëdhënie të ngushtë ndër vite. Presidenti amerikan është një pjesëmarrës i rregullt në aktivitetet e UFC-së, ndërsa drejtuesi i organizatës ka mbajtur fjalime në disa prej tubimeve elektorale të Trump, përfshirë edhe një aktivitet në prag të inaugurimit presidencial në janar 2025.
Kërkimi për një zëdhënës të ri të Shtëpisë së Bardhë vjen pas largimit të Katie Zacharia, e cila qëndroi më pak se pesë ditë në këtë detyrë, pas një konference të parë për shtyp që u shoqërua me momente të sikletshme. Paraardhësja e saj, Karoline Leavitt, një prej të preferuarave të presidentit, kishte njoftuar në gusht se po largohej nga posti për t’iu përkushtuar familjes.
Trump e ka cilësuar Leavitt si një nga bashkëpunëtoret e tij më të besuara dhe ka bërë të ditur se ajo do të vijojë ta këshillojë nga jashtë administratës. “Karoline ka qenë një nga zëdhënëset më të mira të Shtëpisë së Bardhë në historinë e këtij institucioni”, shkroi ai në rrjetet sociale në kohën e largimit të saj./k.m
