Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, gjatë së cilës u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, si dhe zhvillimet e fundit në rajon dhe në arenën ndërkombëtare, raportoi “Anadolu”.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës turke, Erdogan shprehu bindjen se bashkëpunimi mes Turqisë dhe SHBA-së do të vijojë të forcohet, ndërsa theksoi se të dyja palët do të punojnë për t’i dhënë një shtysë të mëtejshme marrëdhënieve në periudhën e ardhshme.
Një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte situata mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.
Presidenti turk theksoi se tensionet mes dy vendeve duhet të marrin fund dhe se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes diplomacisë.
Ai nënvizoi se Turqia do të vijojë përpjekjet për të kontribuar në vendosjen e paqes dhe në uljen e tensioneve mes palëve./mxh
