Gadi Eisenkot është një nga figurat kryesore të skenës politike izraelite, i njohur fillimisht për karrierën e gjatë ushtarake dhe më pas për përballjen politike me kryeministrin Benjamin Netanyahu, sipas “The New York Times”.
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, i cili shërbeu në këtë detyrë nga viti 2015 deri në vitin 2019, është aktualisht në qendër të përpjekjeve për formimin e qeverisë së re.
Presidenti izraelit, Isaac Herzog, i besoi Eisenkot mandatin për të formuar qeverinë, pas zgjedhjeve parlamentare të 27 tetorit, të cilat nuk prodhuan një shumicë të qartë.
Ai ka 28 ditë kohë për të negociuar me partitë e tjera dhe për të siguruar mbështetjen e nevojshme në parlament.
Nga shërbimi ushtarak te drejtimi i ushtrisë
Gadi Eisenkot lindi më 19 maj 1960 në Tiberias, në veri të Izraelit, në një familje hebreje me origjinë marokene. Prindërit e tij kishin emigruar nga Maroku, ndërsa ai u rrit në qytetin jugor të Eilatit.
Në vitin 1978, në moshën 18-vjeçare, iu bashkua ushtrisë izraelite, duke nisur karrierën në Brigadën Golani, një nga njësitë kryesore të këmbësorisë së ushtrisë.
Gjatë më shumë se katër dekadave në uniformë, ai kaloi në disa poste drejtuese, duke komanduar njësi të ndryshme ushtarake dhe duke mbajtur detyra të rëndësishme në strukturat e ushtrisë.
Ai shërbeu si komandant i Brigadës Golani, komandant i Divizionit të Bregut Perëndimor, drejtues i Drejtorisë së Operacioneve dhe komandant i Komandës Veriore, e cila mbulon kufirin e Izraelit me Libanin dhe Sirinë. Më pas u emërua zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm.
Më 16 shkurt 2015, Eisenkot mori detyrën e shefit të 21-të të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, duke pasuar Benny Gantz.
Ai qëndroi në këtë post deri në janar 2019, kur përfundoi shërbimin ushtarak pas 41 vitesh në ushtri.
Emri i tij lidhet edhe me të ashtuquajturën “Doktrina Dahiya”, një qasje ushtarake që parashikon përdorimin e forcës dërrmuese kundër infrastrukturës së përdorur nga Hezbollahu, në rast të një konflikti me Izraelin. Kjo doktrinë është kritikuar për pasojat e mundshme ndaj zonave dhe infrastrukturës civile.
Hyrja në politikë dhe përplasja me Netanyahun
Pas largimit nga ushtria, Eisenkot drejtoi Institutin e Trashëgimisë David Ben-Gurion dhe punoi për një periudhë në sektorin privat. Në vitin 2022 u zgjodh deputet në parlamentin izraelit, Knesset, si pjesë e aleancës politike të drejtuar nga Benny Gantz.
Pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ai iu bashkua kabinetit të luftës të formuar nga qeveria e Benjamin Netanyahut, ku mori pjesë në vendimmarrjen lidhur me luftën në Rripin e Gazës.
Megjithatë, marrëdhëniet e tij me kryeministrin u përkeqësuan.
Eisenkot kritikoi mënyrën se si po drejtohej lufta, duke kërkuar një strategji më të qartë për arritjen e objektivave dhe për kthimin e pengjeve. Në vitin 2024 u largua nga kabineti i luftës.
Në vitin 2025 themeloi partinë “Yashar!”, emri i së cilës mund të përkthehet si “Drejt”, duke e paraqitur atë si një alternativë politike ndaj qeverisë së Netanyahut.
Partia e tij mbështet një shtet hebre dhe demokratik, forcimin e institucioneve dhe ndryshime në politikat e sigurisë.
Eisenkot ka kërkuar hetim për dështimet që paraprinë sulmin e 7 tetorit dhe ka mbështetur shërbimin e detyrueshëm ushtarak edhe për pjesëtarët e komunitetit ultraortodoks, një çështje që ka shkaktuar debate të forta në Izrael.
Humbja e djalit gjatë luftës në Gaza
Një nga ngjarjet më të rënda në jetën e tij personale ishte vdekja e djalit, Gal Eisenkot, në dhjetor 2023, gjatë luftimeve në Rripin e Gazës.
Djali i tij, i cili shërbente në ushtrinë izraelite, u vra më 7 dhjetor në Jabalia, në veri të Gazës.
Gjatë luftës humbën jetën edhe dy nipër të Eisenkot, të cilët gjithashtu shërbenin në ushtri.
Kjo humbje u bë pjesë e profilit të tij publik gjatë luftës, ndërsa ai vijoi të kërkonte përgjegjësi politike dhe një strategji të qartë për përfundimin e konfliktit.
28 ditë kohë për të formuar qeverinë
Në zgjedhjet parlamentare të 27 tetorit 2026, Eisenkot kandidoi në krye të partisë “Yashar!”, duke sfiduar bllokun e kryesuar nga Netanyahu.
Asnjëri prej kampeve nuk siguroi shumicën prej 61 vendesh në parlamentin me 120 anëtarë.
Presidenti Isaac Herzog vendosi t’i japë Eisenkot mundësinë për të formuar qeverinë, pasi ai mori më shumë rekomandime nga deputetët e konsultuar.
Megjithatë, rruga e tij drejt krijimit të një shumice parlamentare mbetet e ndërlikuar.
Ai duhet të negociojë me parti të ndryshme, përfshirë forcat arabe që e kanë mbështetur për marrjen e mandatit, por me të cilat ka përjashtuar deri tani një aleancë të drejtpërdrejtë qeverisëse.
Nëse nuk arrin të formojë qeverinë brenda 28 ditëve, mund të kërkojë një zgjatje prej dy javësh.
Në rast dështimi, presidenti mund t’ia besojë detyrën një kandidati tjetër, ndërsa një tjetër mundësi është zhvillimi i zgjedhjeve të reja.
Nga një karrierë 41-vjeçare në ushtri te drejtimi i një partie politike, Eisenkot po përballet me sfidën më të rëndësishme të karrierës së tij: të shndërrojë mbështetjen parlamentare në një shumicë që mund të krijojë qeverinë e ardhshme të Izraelit./mxh
