Milan ka siguruar një fitore të rëndësishme 2-1 në transfertë përballë Genoas, duke vazhduar ecurinë pozitive dhe të pamposhtur jashtë fushe në këtë fillim sezoni në Serinë A.
Vendasit patën mundësinë e parë të artë që në minutën e dytë me anë të Milutin Osmajic, por gjuajtja e tij nga brenda zonës përfundoi ngjitur me shtyllën.
Kuqezinjtë u treguan cinikë dhe e ndëshkuan kundërshtarin në minutën e 13-të, kur Alphadjo Cisse realizoi saktë pas një inkursioni dhe asisti nga Adrien Rabiot.
Vetëm pesë minuta më vonë, skuadra milaneze dyfishoi shifrat me anë të Christian Pulisic, i cili shfrytëzoi më së miri një pasim të saktë nga Gonçalo Ramos.
Genoa u përpoq të reagonte dhe gjeti rrugën e rrjetës në gjysmëorën e lojës sërish me Osmajic, por goli u anulua menjëherë për pozicion të parregullt.
Të besuarit e trajnerit Daniele De Rossi rritën ndjeshëm presionin në pjesën e dytë dhe arritën të ngushtojnë shifrat në minutën e 88-të, falë një goditjeje nga 25 metra distancë të Mikael Egill Ellertsson që befasoi portierin Mike Maignan.
Me këtë sukses, Milan ngjitet në vendin e katërt në renditje, vetëm pesë pikë larg Lazios kryesuese, ndërsa Genoa zbret në vendin e 15-të të klasifikimit./mxh
