Ministrat e Jashtëm të G7 që do të takohen në Paris të hënën dhe të martën do të diskutojnë sulmet e fundit kibernetike që dyshohet se kanë ardhur nga grupe pro-ruse. Kështu njoftoi të dielën Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani.
“Ministri i Jashtëm Barrot pranoi propozimin tim për ta vendosur çështjen në rend të ditës, kështu që nesër dhe pasnesër do ta diskutojmë”, tha Tajani në një konferencë për shtyp në ministrinë e tij.
Të shtunën, ministri italian tha se të dhënat e tij personale ishin publikuar në rrjetin e errët nga ata që ai i quajti hakerë pro-rusë, duke shtuar se ky veprim lidhej me mbështetjen e qeverisë italiane për Ukrainën.
Ai vuri në dukje se ditët e fundit ka pasur incidente të “luftës hibride” në të gjithë Evropën , por edhe në Amerikën e Jugut, dhe vendet e G7 do të diskutojnë nisma të mundshme të përbashkëta për t’iu kundërvënë atyre.
Tajani nuk e fajësoi drejtpërdrejt qeverinë ruse për sulmet kibernetike.
“Unë thashë që hakerat janë pro-rusë. Nuk thashë që qeveria ruse është përgjegjëse. Nëse do të kisha prova për përfshirjen e qeverisë ruse, do ta thoja këtë”, tha ai./mxh
