Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si funksionon sistemi zgjedhor në Shqipëri, duke e cilësuar reformimin e tij si një kusht të rëndësishëm për përfaqësimin real të qytetarëve.
Gjatë një interviste në emisionin “Terminal” në A2 CNN, Alimehmeti argumentoi se modeli aktual nuk krijon, një raport të drejtë mes votës së qytetarëve dhe vendimmarrjes politike.
Ai theksoi se një sistem demokratik duhet të garantojë që forca politike në pushtet të mbajë përgjegjësi përpara elektoratit dhe të mos e konsiderojë mbështetjen qytetare si të mirëqenë.
Sipas Alimehmetit, ndryshimi duhet të nisë nga rregullat e garës politike, në mënyrë që vota të ketë peshën e saj reale dhe konkurrimi mes subjekteve politike të jetë i barabartë.
“E ardhmja e vendit nis me një Kod Zgjedhor që përfaqëson siç duhet votën e qytetarit. Në një vend demokratik do të ketë gjithmonë një pozitë dhe një opozitë, por pozita do të jetë e detyruar të pyesë publikun se çfarë ka nevojë dhe do i përgjigjet publikut. Kjo pozita që kemi neve të pyet, por voton të kundërtën e asaj që thotë publiku, pasi nuk i intereson vota sepse e ka të marrë në tavolinë. Ne luajmë “votimesh”. Duhet ndërruar rregulli i lojës. Duhet edhe arbitër mundësisht. Kur ka rregulla dhe arbitër, fiton skuadra me platformën më të mirë. Nëse nuk kemi rregulla, do të vazhdojmë për poshtë. Do të vijojmë rënien dhe Shqipërisë do i mbesin vetëm të moshuar, kriminelë dhe beton. Asgjë tjetër, pasi rinia do të largohet”, shtoi Alimehmeti./Mxh
