Çdo nëntor, një sfidë e pazakontë rikthehet në rrjetet sociale, duke vënë në provë vetëkontrollin e burrave. Bëhet fjalë për “No Nut November”, një trend që i fton ata të përmbahen nga masturbimi, marrëdhëniet seksuale dhe çdo aktivitet tjetër që përfundon me ejakulim, për të gjithë muajin.
Por nga lindi kjo sfidë, pse u drejtohet kryesisht burrave dhe a ka vërtet përfitime për shëndetin?
Çfarë është No Nut November dhe si nisi?
“ No Nut November” është një sfidë që u shfaq në vitin 2011 në Reddit dhe me kalimin e viteve u kthye në një fenomen të përhapur në internet. Rregullat janë të thjeshta: pjesëmarrësit duhet të shmangin ejakulimin gjatë gjithë muajit nëntor, pavarësisht nëse kjo ndodh përmes masturbimit apo marrëdhënieve seksuale.
Sipas rregullave të sfidës, nuk konsiderohet shkelje vetëm shikimi i pornografisë, për sa kohë që nuk përfundon me ejakulim. Ndërsa ëndrrat erotike dhe ejakulimi i pavullnetshëm gjatë gjumit janë një tjetër çështje që diskutohet mes pjesëmarrësve. Në fund të muajit, ata që kanë arritur të mos ejakulojnë konsiderohen fitues.
A ka përfitime për shëndetin?
Përfitimet e kësaj praktike janë objekt debati. Disa e shohin si një mënyrë për të ushtruar vetëkontrollin dhe për të ndryshuar raportin me pornografinë ose masturbimin. Megjithatë, nuk ka prova të mjaftueshme shkencore që një muaj pa ejakulim sjell përmirësime të veçanta në shëndetin fizik apo seksual të burrave.
Urologia Rena Malik shpjegon se abstinenca seksuale është një praktikë e njohur prej kohësh, e përmendur edhe në traditat e lashta taoiste, ku ejakulimi shihej si humbje e energjisë dhe përmbajtja prej tij lidhej me vetëkontrollin. Megjithatë, këto bindje tradicionale nuk përbëjnë prova shkencore për përfitimet shëndetësore të kësaj sfide.
Nga ana tjetër, ekspertët theksojnë rëndësinë e aktivitetit seksual dhe masturbimit për shëndetin seksual. Ekspertja e seksit dhe marrëdhënieve Tabitha Bast nënvizon se aktiviteti seksual ndihmon në ruajtjen e qarkullimit të gjakut në organet gjenitale. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për burrat, pasi problemet me ereksionin bëhen më të shpeshta me kalimin e moshës.
Po gratë, pse nuk marrin pjesë?
Sfida u krijua fillimisht për burrat, pasi fokusohet te shmangia e ejakulimit. Kjo është edhe arsyeja pse gratë janë lënë jashtë rregullave origjinale. Megjithatë, vitet e fundit, disa gra kanë nisur të marrin pjesë vullnetarisht, duke u përmbajtur nga masturbimi dhe aktiviteti seksual gjatë nëntorit.
Në thelb, “No Nut November” mbetet një sfidë e lindur në internet, jo një praktikë mjekësore me përfitime të provuara. Abstinenca për një muaj nuk konsiderohet domosdoshmërisht e dëmshme për një person të shëndetshëm, por as nuk ka arsye shkencore për ta trajtuar si një domosdoshmëri për mirëqenien seksuale./k.m
