Last Updated on 09/11/2026 by EL
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është paraqitur këtë të hënë në GJKKO, ku ka dhënë dëshminë e tij në kuadër të procesit gjyqësor për dosjen “Partizani”. Gjatë dëshmisë së tij, ai ka mohuar të ketë pas interes si ministër për klubin, duke argumentuar se dikasteri që ai drejtonte nuk kishte kompetenca të drejtpërdrejta mbi çështjen e planit të përhapjes, që sipas tij, ishte në varësi të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
“Klubi nuk ka qenë në interesin tim si ministër i Mbrojtjes. Ky dikaster është autoritet politik që nuk di të ketë kompetencë mbi çështjen e planit të përhapjes, që është një sektor në varësi të Shtabit të Përgjithshëm. Ministri nuk përpilon shkresa, por firmos. E kanë struktura të tjera. Nuk është e mjaftueshme të më vini përballë shkresa pa asnjë të dhënë. S’kam se si ta di ku është bazuar një shkresë që mban firmën time, por nuk ka të dhëna shoqëruese. Ministri firmoste 10-100 shkresa në ditë, nuk mbahen mend”, u shpreh Mediu.
Po ashtu Mediu u ndal edhe te dokumentacioni për pronën, duke theksuar se procedurat për privatizimin kishin nisur që në kohën e qeverisë së mëparshme, ndërsa përmendi edhe korrespondencën e vitit 2002, të firmosur nga ish-ministri Anastas Angjeli.
“Shkresën 2 e kuptoj, se ka korrespondencë që nga viti 2002, e ardhur nga qeveria e majtë, e ardhur nga Pandeli Majko e firmosur nga Anastas Angjeli. Genc Ruli në shkresë përcjell kërkesën e qeverisë së mëparshme. Kemi qenë në reforma intensive, me Pentagonin sidomos. Çdo objekt duhej të kishte terrene dhe funksione operacionale. Kurorëzohej dhe vlerësohej nga NATO një herë në vit. Kam dijeni të letërkëmbimit që në vitin 2001 me ministrin e kohës. Vendimi ishte iniciuar për privatizimin nga qeveria e mëparshme”, deklaroi ai.
Ish-ministri u shpreh gjithashtu se ka qenë gjithmonë mbështetës i ligjeve që mbronin interesat e pronarëve dhe kundërshtar i atyre që cenonin të drejtat e tyre.
“Mua s’më ka thënë ndonjë zyrtar i NATO-s kap ndonjë top futbolli, mbase më ka thënë kap ndonjë top ushtarak. Nga ta di unë ç’bëhej në një klub sportiv, nuk jam marrë me fusha futbolli. Shkresat që tregoni tregojnë se si prona ka qenë e uzurpuar”, tha Mediu.
Gjithashtu këtë të hënë në GJKKO kanë dëshmuar edhe tre persona të tjerë përveç ish-ministrit. Bëhet fjalë për Justina Boriçi, Maksim Malaj dhe Vladimir Qirjazi./et
