Last Updated on 09/11/2026 by EL
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka urdhëruar prodhuesit e barnave për dobësim dhe trajtimin e diabetit që të përditësojnë etiketat e sigurisë, duke përfshirë paralajmërime për një sëmundje të rrallë të syrit, e cila mund të shkaktojë humbje të përhershme të shikimit.
Sipas njoftimit të bërë të hënën, FDA ka evidentuar një lidhje të mundshme mes barnave të grupit GLP-1 dhe neuropatisë optike ishemike anteriore jo-arteritike (NAION), një sëmundje që mund të shkaktojë humbje të papritur dhe pa dhimbje të shikimit në njërin sy. Në disa raste, dëmtimi mund të jetë i përhershëm.
Paralajmërimet e reja do të përfshijnë të gjithë grupin e barnave GLP-1, të përdorura gjerësisht për trajtimin e diabetit të tipit 2 dhe obezitetit. Mes tyre janë medikamente të njohura si Ozempic dhe Wegovy, të prodhuara nga Novo Nordisk, si dhe Mounjaro dhe Zepbound, të kompanisë Eli Lilly.
Në vlerësimin e saj, FDA analizoi 126 studime klinike, ku morën pjesë më shumë se 134 mijë pacientë. Agjencia shqyrtoi gjithashtu të dhëna nga përdorimi i këtyre barnave në praktikën e përditshme dhe studime vëzhguese të publikuara.
Megjithëse pranoi se provat shkencore të disponueshme kanë disa kufizime, FDA vlerësoi se mundësia e një rreziku të shtuar është e mjaftueshme për të kërkuar paralajmërime shtesë në etiketat e të gjitha barnave të kësaj kategorie.
Ky vendim vjen në një kohë kur përdorimi i barnave për dobësim është rritur ndjeshëm në mbarë botën, duke i vendosur ato gjithnjë e më shumë në qendër të trajtimit të obezitetit dhe diabetit të tipit 2.
Edhe Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) kishte vendosur vitin e kaluar që NAION të klasifikohej si një efekt anësor shumë i rrallë i semaglutidit, përbërësi aktiv i disa prej këtyre medikamenteve. Sipas vlerësimit evropian, ky efekt mund të prekë deri në një në 10 mijë pacientë.
