Real Madridi po përgatitet të vendosë një rekord të ri historik shpenzimesh, duke parashikuar një buxhet prej 707 milionë eurosh për pagat dhe transferimet gjatë sezonit 2026/27.
Me këtë investim marramendës, klubi spanjoll i afrohet ndjeshëm niveleve financiare të klubeve si Paris Saint-Germain, ndërkohë që synon të arkëtojë plot 1.405 miliardë euro të ardhura totale.
Sipas projeksioneve financiare të miratuara nga presidenti Florentino Perez, sezoni pritet të mbyllet me një fitim prej 14.2 milionë eurosh, një shifër disi më e ulët krahasuar me 26.3 milionë eurot e parashikuara për sezonin 2025/26.
Këto shpenzime përfaqësojnë rreth 57% të xhiros dhe 50% të të ardhurave totale të klubit, duke qëndruar brenda kufijve të përcaktuar nga rregullorja financiare e UEFA-s. Një nga shtyllat kryesore të këtij suksesi ekonomik është stadiumi i rikonstruktuar “Santiago Bernabéu”, i cili pritet të gjenerojë i vetëm rreth 420.1 milionë euro.
Kjo shumë e konsiderueshme vjen si rezultat i shitjes së biletave, abonimeve sezonale, zonave VIP, si dhe organizimit të koncerteve apo ndeshjeve të futbollit amerikan. Të drejtat televizive do të njohin gjithashtu një rritje prej 4%, duke sjellë në arkat e klubit 175.1 milionë euro, ndërsa të ardhurat e skuadrës së basketbollit pritet të dyfishohen falë marrëveshjes së re me Euroligën.
Sektori i marketingut mbetet një tjetër burim jetik me 534.6 milionë euro të parashikuara, duke i garantuar Realit fuqinë e nevojshme për të dominuar tregun e transferimeve dhe për të vazhduar investimet në skuadër./k.m
