Bashkimi Europian do të financojë me 2.1 milionë euro përgatitjen e projekteve dhe mbikëqyrjen e punimeve për përmirësimin e eficiencës energjetike të ndërtesave publike në bashkitë Berat, Shkodër, Korçë dhe Përmet.
Programi përfshin 50 ndërtesa të përzgjedhura paraprakisht, mes tyre kopshte, zyra administrative, biblioteka dhe qendra sociale e kulturore.
Ministria e Financave ka hapur procedurën e prokurimit, me vlerë të parashikuar 2.1 milionë euro pa TVSH, të financuar nga Bashkimi Europian përmes Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III), në kuadër të programit “BE për Energjinë 2024–2027”, sipas njoftimit të publikuar në portalin zyrtar të Komisionit Europian më 5 nëntor.
Kontrata përfshin auditimin energjetik të 50 ndërtesave, përgatitjen e projekteve teknike të detajuara, dokumentacionin për lejet e ndërtimit, preventivat dhe dokumentet e tenderit për realizimin e punimeve. Kompania që do të fitojë kontratën do të jetë përgjegjëse edhe për mbikëqyrjen e punimeve të eficiencës energjetike.
Të gjitha ndërtesat do t’i nënshtrohen vlerësimit dhe renditjes sipas përparësisë, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 468/2024. Pas këtij procesi, do të përzgjidhen për ndërhyrje ndërtesa me sipërfaqe të përgjithshme dyshemeje prej të paktën 22 mijë metrash katrorë.
Ndërhyrjet fizike do të realizohen përmes një kontrate tjetër punimesh, që do të tenderohet pas përfundimit të projektimit. Fondi i shpallur aktualisht mbulon shërbimet e auditimit, projektimit, përgatitjes së dokumentacionit dhe mbikëqyrjes, jo realizimin e punimeve të ndërtimit.
Kontrata e shërbimit është organizuar në dy faza, me një periudhë të ndërmjetme pa shërbime. Faza e parë do të zgjasë 24 muaj dhe përfshin auditimet energjetike, projektimin teknik dhe përgatitjen e dokumenteve të tenderit për punimet.
Më pas parashikohet një periudhë 12-mujore, gjatë së cilës pritet të zhvillohet procedura e prokurimit për kontratën e punimeve.
Faza e dytë, me kohëzgjatje 36 muaj, do të përfshijë mbikëqyrjen dhe monitorimin e ndërhyrjeve. Kohëzgjatja e përgjithshme e kontratës, përfshirë periudhën ndërmjetëse, është 72 muaj.
Procedura do të zhvillohet me konkurrim të kufizuar në dy faza. Në fazën e dytë parashikohet të ftohen nga katër deri në tetë kandidatë. Vlerësimi i ofertave do të bazohet 80% në cilësinë teknike dhe 20% në çmim.
Afati për paraqitjen e kërkesave për pjesëmarrje është 22 dhjetori 2026, ora 16:30, ndërsa data e parashikuar për fillimin e kontratës është 29 tetori 2027. /Monitor
