Komisioni për Nismat Qytetare po zhvillon ditën e sotme seanca dëgjimore me institucionet e drejtësisë lidhur me projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027”.
Përfaqësues i SPAK ishte prokurori i posaçëm Alfred Shehu, i cili u shpreh se fondet e parashikuara për Strukturën e Posaçme për vitin 2027 janë të mjaftueshme për zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit.
Ai u shpreh më tej se rritja më e ndjeshme e planit buxhetor vlerësohet në vitin 2026, krahasuar me vitin 2025, me 56.5%.
“Për zbatimin e 32 rekomandimeve të Kuvendit, nga kreu i SPAK është miratuar plani i veprimit. Për secilin rekomandim, plani përcakton masat që duhen ndërmarrë.
Masat mund të realizohen brenda fondeve të parashikuara në projektbuxhetin e vitit 2027. Struktura e Posaçme nuk paraqet kërkesa për financim shtesë për zbatimin e rekomandimeve.
Rritja më e ndjeshme e planit buxhetor vlerësohet në vitin 2026, krahasuar me vitin 2025, me 56.5%. Kjo rritje lidhet me nevojën për të përballuar detyrat dhe përgjegjësitë në rritje, si dhe për të siguruar burimet njerëzore dhe financiare”, tha prokurori, ndër të tjera./k.m
