Alfred Kika Muharemi, këshilltar i Partisë Socialiste, ka komentuar situatën politike dhe protestat e fundit, duke mbrojtur qeverisjen socialiste dhe duke argumentuar se një nga arsyet pse PS vijon të jetë në pushtet është, sipas tij, përqendrimi te nevojat e qytetarëve.
Në një intervistë në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, Kika Muharemi pranoi se qeveria nuk ka arritur të përmbushë të gjitha pritshmëritë, por theksoi se gjatë viteve të qeverisjes ka pasur progres, pavarësisht dy fatkeqësive të mëdha, tërmetit dhe pandemisë.
Ai u ndal edhe te projektbuxheti i vitit 2027, duke e cilësuar atë si buxhetin më të madh historik, me vlerë 10 miliardë euro. Sipas tij, fondet do të orientohen kryesisht drejt shtresave më të pambrojtura dhe mbrojtjes së shtresës së mesme.
“Një nga arsyet që sot qeveris Partia Socialiste është sepse ka pasur në shtyllën e piramidës së saj të nevojave gjithmonë qytetarin, duke e dëgjuar, duke reflektuar dhe pas reflektimit, ka kaluar në akte të cilat shoqërojnë edhe përmirësimin. A është bërë e mundur çdo gjë? Jo, absolutisht. Sepse nëse do ishte e bërë e mundur çdo gjë, atëhere nuk do të kërkonim një mandat të katërt për të qeverisur vendin. A ka përmirësim të asaj që ne morëm dje dhe si jemi sot, bashkë edhe me përballimin e dy fatkeqësive më të mëdha, pandemia dhe tërmeti? Po, ka një progres. A është ky progres se si e kërkojnë protestuesit në raport me standardet e jetesës? Vizioni dhe vullneti politik ka bërë të mundur që në 2027 do të miratojmë buxhetin më të madh historik, 10 miliardë euro. Njëherazi, rishpërndarja e këtij buxheti do të jetë për shtresën më të pambrojtur, duke mbrojtur edhe shtresën e mesme”, tha Kika Muharemi.
Gjatë intervistës, këshilltari socialist foli edhe për kandidaturën e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, duke konfirmuar se Ogerta Manastirliu mbetet propozimi i deritanishëm i socialistëve për këtë post. Ai sqaroi se nuk ka pasur një ndryshim zyrtar të emrit të propozuar nga Asambleja Kombëtare e PS-së.
“Drejtuesja e Partisë Socialiste të Tiranës është Ogerta Manastirliu. Dhe është një nga emrat e propozuar nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste si kandidate për kryetare të bashkisë. Ky propozim është ende zyrtar, nuk kemi një ndryshim në një emër tjetër. Por, ajo që mua më intereson është që profili i kandidatit të Bashkisë së Tiranës duhet të jetë një profil sa politik, që është shumë e rëndësishme, aq edhe administrativ. Këto dy faktorë i ndërlidh më së miri Ogerta Manastirliu”, tha ai.
Megjithatë, Kika Muharemi përmendi edhe deputetin Erion Braçe si një emër me potencial për të kandiduar, por shprehu preferencën e tij për Manastirliun, duke argumentuar se ajo ka përkushtimin dhe gatishmërinë e nevojshme për drejtimin e kryeqytetit.
“Sipas tij, edhe Erion Braçe “është një nga kandidatët me shumë potencial, por duke qenë se edhe kam punuar me Ogerta Manastirliun, e shoh më afër asaj që duhet të jetë 24/7 në punë”.
“Manastirliu është një nga personat që nuk i thotë JO punës”, shtoi këshilltari socialist.
/ad
