Identitetet dhe lidhjet familjare të viktimave të shpërthimit të Vezuvit janë përcaktuar për dekada mbi bazën e supozimeve arkeologjike. Analizat e ADN-së kanë zbuluar një të vërtetë krejt tjetër.
Identitetet dhe marrëdhëniet familjare të disa prej viktimave më të njohura të Pompeit nuk përputhen me ato që arkeologët kishin menduar deri më sot. Njerëzit, të mbuluar nga hiri gjatë shpërthimit katastrofik të Vezuvit, më 24 tetor të vitit 79 pas Krishtit, nuk ishin domosdoshmërisht ata që interpretimet moderne kishin përcaktuar. Këtë e dëshmojnë analizat e ADN-së të nxjerra nga mbetjet njerëzore të ruajtura në kallëpet që rindërtojnë pozicionet e banorëve në çastet e fundit të jetës së tyre.
ADN-ja zbulon të panjohurën
Një ekip shkencëtarësh, ku bëjnë pjesë David Reich dhe Alissa Mittnik nga Universiteti i Harvardit, si dhe David Caramelli nga Universiteti i Firences, arriti të nxjerrë material gjenetik nga mbetjet skeletore, shpeshherë tepër të fragmentuara, të ruajtura brenda kallëpeve të famshme të gipsit të Pompeit. Studiuesit u përqendruan në 14 kallëpe që po i nënshtroheshin procesit të restaurimit.
Këto kallëpe u krijuan duke hedhur gips në hapësirat e mbetura në hirin vullkanik, aty ku dikur ndodheshin trupat e viktimave. Teknika, e zhvilluar në gjysmën e dytë të shekullit XIX, bëri të mundur rindërtimin e formës së trupave dhe të pozicionit në të cilin njerëzit u gjendën kur u përballën me katastrofën. Përmes tyre mund të dallohen edhe disa hollësi të veshjeve dhe sendeve që viktimat mbanin me vete.
E vërteta e ruajtur në kocka
Shkencëtarët përdorën analizën e ADN-së dhe të izotopeve të stronciumit, një element që organizmi e përthith përmes ushqimit dhe ujit, duke marrë kështu të dhëna mbi origjinën gjeografike të individëve. Këto analiza ndihmuan në përcaktimin e lidhjeve gjenetike dhe të prejardhjes së disa prej viktimave.
Rezultatet hodhën poshtë një sërë interpretimesh të mëparshme, të cilat ishin mbështetur kryesisht në pozicionin e trupave, veshjet, sendet personale dhe pamjen e tyre.
Një nga shembujt më domethënës është ai i një të rrituri që mbante një byzylyk ari dhe kishte në krah një fëmijë. Për një kohë të gjatë, kjo skenë ishte interpretuar si një nënë që përpiqej të mbronte fëmijën e saj. Analizat gjenetike treguan se i rrituri ishte mashkull dhe nuk kishte lidhje biologjike me fëmijën.
Një tjetër rast lidhet me dy individë që mendohej se ishin motra ose nënë e bijë. Analizat zbuluan se të paktën njëri prej tyre ishte mashkull.
Këto rezultate vënë në pikëpyetje supozimet tradicionale mbi gjininë dhe lidhjet familjare të viktimave. Siç thekson David Reich, pamja e jashtme dhe pozicioni i trupave nuk mjaftojnë për të përcaktuar identitetin apo marrëdhëniet ndërmjet njerëzve.
Prejardhja nga Mesdheu Lindor
Analizat treguan gjithashtu se shumica e individëve të studiuar kishin prejardhje nga popullsi që kishin ardhur relativisht vonë nga rajoni i Mesdheut Lindor.
Ky zbulim përforcon idenë se Pompei nuk ishte një qytet i izoluar, por pjesë e një hapësire të gjerë komunikimi, tregtie dhe lëvizjeje njerëzore. Perandoria Romake ishte një botë kozmopolite, ku popullsitë lëviznin, përziheshin dhe krijonin lidhje përtej kufijve të provincave.
Studimi nënvizon rëndësinë e ndërthurjes së të dhënave gjenetike me ato arkeologjike dhe historike. Vetëm në këtë mënyrë mund të shmangen interpretimet e gabuara që mbështeten te paragjykimet dhe supozimet e kohëve moderne.
Një tërmet e bëri edhe më shkatërrues shpërthimin e Vezuvit që varrosi Pompein
«Një ditë më parë toka ishte lëkundur», shkruante Plini i Ri. Një studim i ri hedh dritë mbi rolin e tërmeteve në katastrofën që shkatërroi qytetin romak.
«Një ditë më parë toka ishte lëkundur», shkruante Plini i Ri në letrën e tij drejtuar historianit Tacit, duke përshkruar ngjarjet që shoqëruan shpërthimin e Vezuvit në vitin 79 pas Krishtit. Sot, një studim i ri, i realizuar në bashkëpunim ndërmjet Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV) dhe Parkut Arkeologjik të Pompeit, i rikthehet kësaj dëshmie historike dhe konfirmon se tërmetet që shoqëruan shpërthimin mund të kenë luajtur një rol vendimtar në shkatërrimin e qytetit.
Sipas studiuesve, lëkundjet e forta sizmike mund t’i kenë detyruar banorët të braktisnin ndërtesat ku ishin strehuar. Por, duke dalë në hapësira të hapura, ata u ekspozuan ndaj rrymave piroklastike, të cilat përhapeshin me shpejtësi dhe temperaturë shumë të lartë.
Gjurmët e një shembjeje
Përfundimi i studiuesve mbështetet edhe në zbulimin e dy skeleteve nën rrënojat e Shtëpisë së Piktorëve në Punë, në zonën arkeologjike të Pompeit (Regio IX, 12).
Pas analizimit të dëmtimeve dhe frakturave në skelete, arkeologët arritën në përfundimin se të dy individët kishin humbur jetën si pasojë e shembjes së mureve të shkaktuar nga një tërmet. Tiparet e dëmtimeve në ndërtesë dhe në trupat e viktimave nuk përputheshin me ato që priteshin nga veprimi i drejtpërdrejtë i fenomeneve vullkanike.
Zbulimi ofron një element të ri për të kuptuar mënyrën se si u zhvillua katastrofa dhe çfarë ndodhi me banorët gjatë orëve të fundit të qytetit.
Një enigmë me dy katastrofa
«Ka qenë e vështirë të përcaktohej ndikimi i tërmeteve në raport me shpërthimin vullkanik, sepse efektet e këtyre dy fenomeneve natyrore priren të mbivendosen», shpjegon Domenico Sparice, vullkanolog në INGV dhe autor i studimit të botuar në revistën shkencore Frontiers in Earth Science.
«Megjithatë, ne arritëm të demonstronim se tërmeti që ndodhi gjatë shpërthimit pati një rol vendimtar në shkatërrimin e Pompeit dhe, me shumë gjasë, ndikoi edhe në vendimet e banorëve, të cilët u gjendën përballë një situate ku vdekja mund të vinte nga disa drejtime».
Kronika e një katastrofe
Shpërthimi i Vezuvit i kapi banorët e Pompeit në mes të jetës së tyre të përditshme. Për rreth 18 orë, qyteti u mbulua nga rënia e lapileve, copëza të vogla shkëmbore dhe vullkanike, të cilat grumbulloheshin mbi çatitë e ndërtesave dhe rrezikonin shembjen e tyre. Shumë banorë kërkuan strehim brenda shtëpive, duke besuar se muret do t’i mbronin nga katastrofa.
Por ndërkohë, tërmetet vazhdonin të tronditnin qytetin. Disa ndërtesa, të rënduara nga grumbullimi i materialeve vullkanike, u shembën duke zënë poshtë njerëzit që ndodheshin brenda tyre.
«Ata që nuk arritën të largoheshin nga strehimet e tyre mund të jenë goditur nga shembja e ndërtesave, të cilat ishin rënduar tashmë nga depozitimi i materialeve vullkanike dhe u dëmtuan më tej nga lëkundjet sizmike. Ky duket të ketë qenë fati i dy skeleteve të zbuluara gjatë gërmimeve. Bëhet fjalë për dy burra rreth të pesëdhjetave. Njëri u godit për vdekje nga shembja e një muri, ndërsa tjetri u përpoq të mbrohej me një objekt të rrumbullakët prej druri, por nuk arriti t’i shpëtonte vdekjes», shpjegon Valeria Amoretti, antropologe dhe drejtuese e Laboratorit të Kërkimeve të Aplikuara në Parkun Arkeologjik të Pompeit.
Të zgjedhësh mes arratisjes dhe strehimit
Numri i viktimave të gjetura në depozitat vullkanike sugjeron se shumë banorë të Pompeit kishin arritur të largoheshin nga qyteti, ndonëse në kushte tepër të vështira. Megjithatë, nuk ka të dhëna të sakta që të përcaktojnë se sa njerëz humbën jetën nga shpërthimi vullkanik dhe sa prej tyre nga tërmetet dhe shembjet e ndërtesave.
Sipas Gabriel Zuchtriegelit, drejtorit të Parkut Arkeologjik të Pompeit, ky skenar i ri ndihmon për të kuptuar më mirë vendimet e banorëve në ato orë dramatike. Ata u detyruan të zgjidhnin në një kohë shumë të shkurtër nëse duhej të largoheshin nga shtëpitë apo të qëndronin brenda tyre, duke kërkuar mbrojtje nga hiri dhe materialet që binin nga qielli.
Në të dyja rastet, rreziku ishte i jashtëzakonshëm. Ata që dolën jashtë mund të përballeshin me rrjedhat piroklastike, ndërsa ata që qëndruan brenda rrezikonin të mbeteshin nën rrënojat e ndërtesave të dëmtuara nga tërmetet dhe pesha e materialeve vullkanike.
Kështu, shkatërrimi i Pompeit nuk ishte vetëm pasojë e një shpërthimi vullkanik. Ishte ndërthurja e disa fenomeneve natyrore, të cilat, brenda pak orësh, e kthyen një qytet të gjallë romak në një vend të ngrirë në kohë.
