E keni mbyllur darkën, ndiheni të ngopur dhe mendoni se nuk keni më nevojë për ushqim. Por, vetëm gjysmë ore më vonë, e gjeni veten duke kërkuar diçka të ëmbël në kuzhinë. Një zakon që u ndodh shumë njerëzve dhe që nuk lidhet gjithmonë me urinë e vërtetë apo mungesën e vetëkontrollit.
Sipas një studimi, rreth një e treta e njerëzve konsumojnë ushqime të lehta çdo mbrëmje pas darkës. Kjo prirje është edhe më e theksuar te të rinjtë e moshës 18-24 vjeç, ku katër në pesë persona e kanë të vështirë t’i rezistojnë tundimit për të ngrënë diçka para gjumit.
Por pse ndodh kjo? Dietologia Dr. Kristine Beaulieu shpjegon se oreksi ynë ka tendencë të rritet natyrshëm gjatë orëve të mbrëmjes. Një nga arsyet lidhet me grelinën, hormonin që nxit urinë, nivelet e të cilit priren të jenë më të larta në pjesën e vonë të ditës.
Edhe përbërja e vakteve ndikon në këtë proces. Nëse darka nuk përmban mjaftueshëm proteina, fibra dhe ushqime që japin ndjesinë e ngopjes, uria mund të rikthehet më shpejt. Nga ana tjetër, ngrënia para televizorit apo gjatë aktiviteteve të tjera mund të kthehet në një zakon që trupi e lidh automatikisht me dëshirën për të konsumuar diçka.
Nuk është vetëm uria ajo që na drejton drejt frigoriferit. Studimet sugjerojnë se në orët e mbrëmjes rritet edhe dëshira për ushqime me shumë kalori, veçanërisht ato që përmbajnë sheqer, yndyrë dhe kripë.
Kjo lidhet me sistemin e shpërblimit në tru, i cili aktivizohet nga këto ushqime dhe mund të na shtyjë të kërkojmë diçka të ëmbël edhe kur jemi të ngopur. Pra, dëshira për një çokollatë apo disa biskota pas darkës nuk do të thotë domosdoshmërisht se organizmi ka nevojë për më shumë energji.
Lidhja mes ushqimit të konsumuar në mbrëmje dhe gjumit nuk është ende plotësisht e qartë. Megjithatë, dihet se vaktet e rënda, të konsumuara shumë vonë, mund të vështirësojnë tretjen dhe të ndikojnë në përgatitjen natyrale të organizmit për gjumë.
Disa studime kanë vënë re gjithashtu një lidhje mes konsumit të lartë të karbohidrateve të rafinuara dhe sheqernave të shtuara, si buka e bardhë, orizi i bardhë, biskotat dhe ëmbëlsirat, me një cilësi më të dobët të gjumit.
Nga ana tjetër, edhe mungesa e gjumit mund të shtojë oreksin dhe dëshirën për ushqime me shumë kalori. Kjo e bën më të vështirë përcaktimin nëse janë ushqimet ato që ndikojnë te gjumi apo nëse lodhja na shtyn të hamë më shumë.
Sipas ekspertëve, hapi i parë është të kuptoni nëse po hani sepse keni vërtet uri apo thjesht sepse jeni mësuar ta bëni këtë.
Nëse ndiheni të uritur, mund të ndihmojë përfshirja e më shumë proteinave dhe fibrave në vaktet e ditës, veçanërisht në darkë. Ndërsa, nëse ngrënia është kthyer në një zakon, ndryshimi i rutinës mund të bëjë diferencën.
Disa këshilla që mund t’ju ndihmojnë:
Shmangni ngrënien para televizorit, pasi shpërqendrimi mund t’ju bëjë të konsumoni më shumë pa e kuptuar.
Mbani në shtëpi alternativa më të shëndetshme, si fruta, kos dhe arra.
Nëse dëshironi diçka të ëmbël, zgjidhni një porcion të vogël në vend që ta ndaloni plotësisht veten.
Planifikoni paraprakisht çfarë do të konsumoni në mbrëmje, në mënyrë që të mos veproni vetëm nga impulsi.
Ekspertët theksojnë se nuk është e nevojshme të hiqni dorë plotësisht nga ushqimet që pëlqeni. Edhe çokollata apo një ëmbëlsirë herë pas here mund të jenë pjesë e një regjimi të ekuilibruar. Sekreti qëndron te masa dhe te zgjedhjet që bëni çdo ditë.
Në fund të fundit, qëllimi nuk është të shkoni në shtrat të uritur, por të kuptoni sinjalet e trupit dhe të mos lejoni që zakonet e mbrëmjes të diktojnë gjithmonë atë që hani./mxh
