Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka konfirmuar se Lamine Yamal do të jetë në dispozicion për ndeshjen e së dielës kundër Anglisë, pavarësisht shqetësimeve fizike që ka pasur në gjurin e djathtë.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve EFE, tekniku spanjoll bëri të ditur se gjendja e yllit të Barcelonës nuk është shqetësuese, por stafi teknik vendosi të mos rrezikojë me aktivizimin e tij në sfidën kundër Republikës Çeke.
Sipas De la Fuentes, Yamal kishte mundësi të luante edhe këtë të enjte, por shqetësimet fizike nuk e lejonin të ishte në formën e tij optimale. Për këtë arsye, u vendos që futbollisti të qëndronte në Barcelonë dhe të rikuperohej plotësisht për duelin e rëndësishëm ndaj Anglisë.
“Me shumë mundësi, ai ishte i gatshëm të luante. Nëse do të kishim pasur një urgjencë, do të kishim vendosur ta aktivizonim, por nuk ia vlente të merrnim asnjë rrezik. Fillimisht mendojmë për shëndetin e tij dhe më pas duam që të jetë në gjendje perfekte për të dielën”, deklaroi De la Fuente.
Trajneri spanjoll zbuloi se shqetësimet e sulmuesit datojnë nga ndeshja e fundit e Ligës së Kampionëve kundër Aston Villas, ku një inflamacion i lehtë i shkaktuar në gjurin e djathtë e pengoi të ishte në gjendjen më të mirë fizike.
Pritet që Yamal t’i bashkohet përfaqësueses në Las Rozas të enjten në mbrëmje ose të premten në mëngjes, duke pasur kështu mundësinë të zhvillojë dy seanca stërvitore përpara përballjes me Anglinë.
De la Fuente flet edhe për Oyarzabalin
Përveç situatës së Lamine Yamal, De la Fuente foli edhe për sulmuesin e Real Sociedadit, Mikel Oyarzabal. Ky i fundit po rikuperohet nga gripi, por vonesa në bashkimin me kombëtaren lidhet edhe me një arsye familjare, pasi bashkëshortja e tij është në pritje të fëmijës së dytë.
“Jemi në pritje të lindjes së fëmijës së tij. Shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë dhe sa më shpejt, në mënyrë që ai të mund të bashkohet me ne. Duhet të presim deri në momentin e fundit”, u shpreh trajneri.
Ndërkohë, De la Fuente konfirmoi se Martin Zubimendi nuk do të ketë probleme për t’u aktivizuar, pavarësisht maskës mbrojtëse që mban pas një frakture në hundë. Mesfushori i Arsenalit ka luajtur edhe më parë me maskë dhe është plotësisht i gatshëm për dy ndeshjet e radhës.
Lajmi kryesor për Spanjën mbetet rikthimi i pritshëm i Lamine Yamalit, i cili pritet të jetë një nga lojtarët më të rëndësishëm në përballjen me Anglinë./et
