Last Updated on 10/11/2026 by EL
Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe kostos së jetesës po rëndon gjithnjë e më shumë buxhetet familjare në Kosovë.
Eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa, vlerëson se inflacioni mbetet në nivele të larta, ndërsa ndikimi i tij ndihet veçanërisht te familjet me të ardhura të ulëta.
Duke iu referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Bellaqa bëri të ditur se Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit ka shënuar rritje, duke arritur në 7.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Së pari, inflacioni në Kosovë është i lartë, është e vërtetë, sepse edhe sot ASK (Agjencia e Statistikave të Kosovës), që është organi përgjegjës, publikoi Indeksin e Çmimeve të Harmonizuar, i cili për muajin e kaluar realisht është 7.1% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa muajin tjetër ka arritur në 7.8%.”
Sipas ekspertit, rritja e çmimeve ndikohet nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Ndër shkaqet kryesore ai rendit shtrenjtimin e naftës dhe benzinës, konfliktet ndërkombëtare, si dhe varësinë e Kosovës nga importet.
“Janë shkaqe të brendshme dhe të jashtme… Faktori i jashtëm ka qenë realisht tregu i naftës dhe benzinës, për arsye se importohen, dhe një faktor tjetër ka ndikuar edhe lufta në Lindjen e Mesme dhe konfliktet. Diku 20% e eksportit dhe importit përbën një inflacion të importuar,” shpjegoi Bellaqa.
Bellaqa thekson se një pjesë e konsiderueshme e produkteve bazë dhe artikujve të konsumit importohen, çka bën që rritja e kostove në tregjet ndërkombëtare të reflektohet drejtpërdrejt edhe në çmimet brenda vendit.
“Prodhimet elementare bazike importohen jashtë Kosovës diku 40%. Diferenca e çmimit përcaktohet në treg dhe realisht ne kemi çmime rekord. Nuk kemi çmime të prodhimeve apo kostove që kishin me qenë të arsyeshme për qytetarin dhe jetën e konsumatorit,” theksoi ai.
Përveç produkteve, ndikim në çmimin përfundimtar kanë edhe kostot e transportit dhe shpenzimet e tjera të bizneseve.
Eksperti nënvizon se, ndonëse inflacioni i përgjithshëm raportohet në nivele rreth 7-8%, rritja e çmimeve për produktet ushqimore dhe artikujt bazë të shportës familjare ka qenë edhe dyshifrore.
Një tjetër shqetësim, sipas tij, është fakti se rritja e pagave nuk ka arritur të ndjekë ritmin e shtrenjtimit të produkteve dhe shërbimeve. Kjo ka sjellë uljen e fuqisë blerëse të qytetarëve dhe vështirësi të shtuara për përballimin e shpenzimeve mujore.
“Ndërsa pagat kanë ngecur, qoftë në sektorin privat apo në atë publik, nuk mund ta ndjekin inflacionin. Nëse rriten çmimet, bie fuqia blerëse. Është e papërballueshme edhe për jetën e konsumatorit dhe ekonominë familjare,” u shpreh ai ndër të tjera në Skan TV.
Më të prekurat nga kjo situatë janë familjet me të ardhura të ulëta, pensionistët dhe kategoritë sociale. Bellaqa solli në vëmendje se pensioni i pleqërisë prej 150 eurosh e bën edhe më të vështirë përballimin e kostos së jetesës në kushtet e rritjes së vazhdueshme të çmimeve./ET
