Vrapuesja kanadeze e ultramaratonave, Stephanie Case, është bërë gruaja e parë që ka përfunduar një garë prej 100 miljesh pa ndërprerje në Antarktidë, duke vendosur rekordin e parë të kontinentit për gratë në këtë distancë.
Case përfundoi garën “Antarctic Ice Ultra 2026” për 17 orë, 31 minuta e 39 sekonda, duke zënë vendin e dytë në renditjen e përgjithshme, sipas faqes zyrtare të organizatorëve.
Gara u zhvillua në Oazën Schirmacher, në bregdetin e Princeshës Astrid, në Tokën e Mbretëreshës Maud, në Antarktidën Lindore. Pjesëmarrësit përshkuan 38 xhiro në një itinerar prej 4,2 kilometrash (2,6 milje), të ndjekura nga një segment shtesë për të arritur distancën e plotë prej 100 miljesh.
Case u përball me erëra të fuqishme dhe temperatura deri në minus 35 gradë Celsius, temperaturat më të ulëta të regjistruara nga organizatorët. Nisja e garës u zhvendos përpara, në orën 01:00 të së dielës, për shkak të një stuhie që po afrohej.
Garën e fitoi kinezi Yusheng Ni, me kohën 17 orë, dy minuta e 24 sekonda. Case kaloi vijën e finishit rreth 29 minuta më vonë. Vetëm katër nga tetë vrapuesit që nisën garën prej 100 miljesh arritën ta përfundojnë atë. Case ishte njëra nga tri gratë në vijën e nisjes dhe e vetmja që arriti në finish.
Case është gjithashtu juriste ndërkombëtare e të drejtave të njeriut dhe themeluese e organizatës “Free to Run”, e cila përdor vrapimin dhe programet e zhvillimit të lidershipit për të mbështetur gratë dhe vajzat e prekura nga konfliktet.
Ajo tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare në vitin 2025, pasi fitoi një ultramaratonë prej 100 kilometrash në Uells, gjashtë muaj pasi ishte bërë nënë./mxh