Last Updated on 11/11/2026 by EL
Robert Duka, autor i grabitjes së dy filialeve të bankave “OTP Bank” dhe “Raiffeisen Bank” në Tiranë, është lënë në qeli nga Gjykata e Shkallës së Parë. Togat e zeza kanë vlerësuar të ligjshëm ndalimin e tij dhe deri në përfundim të hetimeve, 50 vjeçari nga Vlora do të qëndrojë në qeli.
Një seri përgjimesh telefonike, të ndërthurura edhe me prova të tjera, si analizimi i pamjeve filmike dhe i makinës së marrë me qira, kanë çuar policinë kriminale në arrestimin e Robert Dukës. I njohur edhe me emrin Albert Duka, ai dyshohet se ka grabitur 120 mijë euro në dy filialet e bankave.
Në pamjet e publikuara nga Policia e Tiranës, shihet momenti kur autori mbërrin me monopatinë, e lë jashtë bankës dhe më pas hyn brenda i maskuar me kaskë. Veprimi i parë që vlonjati bën është kyçja e derës dhe nxjerrja e armës të cilën ia drejton rojes së sigurisë, që e mban pranë vetes dhe drejtohet për te arka.
Më pas, armën e drejton nga arkëtarja që i kërkon paratë dhe brenda pak minutave shikohet duke shtyrë rojen drejt derës. Nga aty, vlonjati del nga banka dhe larohet me monopatinë drejt stadiumit “Selman Stermasi”.
Një javë pas ngjarjes, policia bëri me dije se për identifikimin e tij kanë ndihmuar sistemet teknologjike, të cilat kanë mundësuar njohjen e personit pavarësisht maskimit, si dhe analizimi i veshjeve që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve.
Ndërsa në banesën ku Robert Duka strehohej, u gjetën veshjet që ai kishte përdorur dhe u sekuestruan 8200 euro, si dhe 2 celularë. Sipas hetimit, 50-vjeçari nga Vlora rezulton të jetë autori i vjedhjes së një tjetër banke të ndodhur më 2 qershor të këtij viti, në të njëjtën zonë./et
