Last Updated on 11/11/2026 by EL
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, tha se kompania Aktor po studion mundësinë e vënies në punë të Termocentralit të Vlorës me gaz nga Shtetet e Bashkuara. Në përgjigje të deputetit demokrat Eno Bozdo, i cili kërkoi të dijë pse TEC-i mbetet jashtë funksionit, Karakaçi tha se projekti parashikon lidhjen me gazsjellësin TAP dhe një kapacitet prej 340–400 megavatësh. Ministri tha se po bëhet studimi i fizibilitetit dhe nëse rezulton i suksesshëm, projekti do të dërgohet në Kuvend për miratim.
Bozdo: Të vihet në punë TEC i Vlorës, të riparohet defekti. Kemi nevojë energji bazë, ku jemi sot? Nuk e di nëse vihet më në punë TEC i Vlorës? Ju keni bërë një marrëveshje me kompaninë AKTOR për të blerë gaz, por ne kemi TAP-in, nuk marrim fare gaz?
Karakaçi: Ky TEC, i ndërtuar në vitin 2008, i parashikuar për tu vënë në punë me naftë, si anijet lundruese që ju i kritikoni aq shumë. Tec-i është jofunksional, ishte i keq investuar. Kemi bërë një marrëveshje me TAP për të bërë pikë dalje në Fier dhe ka avancim në këtë punim. Patëm një tentativë ta vinim në punë me EXELERATE POWER, nuk u arrit të finalizohej.
Është bërë një marrëveshje në qershor me AKTOR, si rrjedhojë e një kompania amerikane që do të sillte gaz përmes kompanisë Aktor në Evropë. Projekti është i ngjashëm për ta vënë në punë TEC- për at kthyer me kapacitet 340-400 mega dhe për ta ndërlidhur me TAP, po bëhet fizibiliteti, nëse do jetë e suksesshme, do vijë në kuvend për miratim.
Termocentrali, ndërtimi i të cilit nisi në vitin 2008 dhe përfundoi në 2012-ën, nuk ka prodhuar asnjë ditë energji me disa prova të dështuara, pas një defekti teknik në sistemin e ftohjes. TEC-i i Vlorës konsiderohet një mundësi alternative për të garantuar furnizim e vendit me energji në kushte emergjente./ET
